Nënkomisarja e Policisë së Elbasanit, Anisa Kostani, është pezulluar sot nga detyra e saj me urdhër të Gledis Nanos, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pezullimi ka ardhur pasi oficerja e Policisë së Elbasanit, ka “shkelur rëndë atributet e Policisë pa arsye bindëse…” duke replikuar me një gjuhë fyese dhe poshtëruese ndaj gazetarëve që kanë kritikuar rolin e Policisë së Shtetit pas vrasjeve të ditëve të fundit.
Meqënëse oficerja tërhoqi vëmendjen publike me shënimin që kishte publikuar në Fb po aq sa dhe me pamjen e saj fotozhenike dhe misionin si shpëtuese e kafshëve, është pritur po ashtu me interesim të lartë një shprehje publike keqardhjeje apo ndjese nga ana e saj në një njëjtën mënyrë, në rrjetet sociale.
Reagimi në fakt ishte larg asaj që pritej nga një punonjëse e Policisë së Shtetit, edhe ky këtë radhë i publikuar po në profilin e saj privat në Instagram:
Një këngë rep e Unikatilit në makinën që qarkullon rrugëve bashkë me refrenin e njohur të tij “Un jom ma i mallkumi, ma i paparashikumi – ai shqipja i përgjakshëm që mun e nal veq plumi”!!!
A është një sfidë kjo nga kritikëve të saj, gazetarëve apo deri edhe vetë eprorit të saj,kreut të Policisë Gledis Nano?! Nuk mund ta dimë.
Dimë vetëm që në këtë moment, kur një valë krimi ka përgjakur rrugët e vendit, kur Policia e Shtetit ka një detyrë shumë të vështirë dhe përgjegjësi edhe morale përballë qytetarëve që po terrorizohen përditë, vëmendja e publikohet shpërqëndrohet tek sjelljet kapriçioze dhe kokëforta të një oficereje pa përvojë. Pak më herët, kjo Polici publikoi këtë mesazh:
“Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.
Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun. Policia e Shtetit është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën.
Policia e Shtetit falënderon gazetarët për punën e tyre në drejtim të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit dhe kërkon mirëkuptimin e tyre që raste sporadike të mos cënojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit.”




