Skena që pamë sot e kam parë te “Kazino” kur gangsterët e mafias e masakrojnë me shkopinj beisbolli njërin prej tyre (Joe Pesci e luan) që kishte shkelur në kallo bosat e tyre. Në fund e fusin në varr të gjallë dhe e mbulojnë me dhe.
Por vrasja te filmi në fjalë është shumë më pak kompromentuese për shtetin. Ajo zhvillohet në një vend të largët, në humbëtirë, në mes të një are të lartë, pa gjurmë.
Ndërsa skenat e sotme janë një sfidë e hapur për gjithë shoqërinë, shtetin, politikën. Këta vrasës sadistë po na tregojnë pafuqinë tonë për të kundërshtuar, po na terrorizojnë me shembullin “kështu do përfundoni edhe ju”. Ata e bënë hapur sfidën, ditën për diell në ambient publik me pistoleta në duar.
Edi Rama duhet të lërë urgjentisht ndërmjetësin ndërkombëtar e të kthehet në atdhe. Nëse këta kriminelë nuk bëhen shembull ndëshkimi, jo për “rrahje me pasoja të rënda” apo “plagosje të lehtë me dashje” por për “akte të pastra terroriste” atëherë ky vend është si Haiti i Duvaliesë në vitet 60 që përshkruan Graham Green te “Komedianët”. Ku bandat e Tonton Macoute ishin shteti paralel që rrëmbenin qytetarë dhe për fatin e tyre nuk dihej më. Ky i sotmi është akti më i rëndë terrorist pas vrasjes së tre të rinjve në urën e Fushë Krujës një vit më parë.
Pikërisht sepse as nuk e çan kokën për shtetin apo reagimin qytetar. Unë sot jam i frikësuar dhe i pambrojtur përpara “tonton makutëve” të Rrahjave e kompani.




