Edhe pse vlera e bonusit për mjekët dhe pjesën tjetër të personelit shëndetësor që është në vijën e parë të zjarrit, ka mbetur e njëjtë, qeveria ka vendosur të shtojë filtrat.
Një strukturë e posaçme me përfaqësues nga disa institucione do të vlerësojë nivelin e riskut dhe ngarkesën e bluzave të bardha dhe do të hartojë çdo muaj listat e përfituesve që do të vijojnë të marrin krahas pagës edhe shpërblimin.
Sipas kësaj nisme, lista e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues miratohet bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore e cila vlerësohet nga sekretariati.
Kjo strukturë e re, e cila do të nis nga puna këtë muaj, do të përbëhet nga 2 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, 1 përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik, 1 përfaqësues nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Përmes vendimit të miratuar në mars të 2020, personeli mjekësor që merren me epidemiologjinë, çdo muaj do te marrin një bonus në vlerën e 125 mijë lekëve.




