Zgjedhja e presidentit, PS mandaton Ballën, Gjiknurin e Spiropalin

0
49

Partia Socialiste ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damina Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas mbarimit të mandatit të Ilir Metës. Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit tha se ky proces ndodh brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe dëshira është për konsultim e dialog nga të gjitha palët.

“Në konferencën e kryetarëve të ketë një kalendar që do të çojë në zgjedhjen e presidentit të Republikës jo më vonë se 24 maj duhet të ketë filluar procesi i zgjedhjes së presidentit. Shumica parlamentare do të zhvillojë një proces. Dëshira është për proces të hapur konsultimesh, brenda suazit të dialogut e konsultimeve. Bashkë me mua do të jenë Spiropali e Gjiknuri si të mandatuar nga grupi parlamentar për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare, për një dialog konstruktiv për procesin e zgjedhjes së presidentit”.-tha ai.

Sipas tij “konsultimet kanë filluar që sot brenda grupit parlamentar që deputetët të vijnë me propozime konkrete që ne të kemi gati një listë të shkurtër me kandidaturat e mundshme. Procesi i zgjedhjes së presidentit përfshin edhe një proces teknik si ai i depozitimit të kandidaturave”.

I pyetur se me kë do dialogojnë nga PD, Balla tha: “Në Kuvend nuk ka një grup parlamentar të quajtur grupi i Rithemelimit. Unë isha shumë i kujdesshëm në atë që thashë brenda Kuvendit me grupet parlamentare. Grupet parlamentare janë ato që ju dini dhe natyrshëm cfarë ndodh brenda grupeve parlamentare është cështje e brendshme e tyre”.

Zjarr Tv Ad