Prej më shumë se 10 orësh landfilli i Elbasanit pranë inceneratorit është përfshirë nga flakët.
Zjarri i cili shpërtheu pasditen e djeshme rreth orës 16:30 dhe ende pas punës së zjarrfikësve për ta shuar vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi toksik vijojnë të dalin mbi qytet.
Për të përballuar situatën kritike, Arben Cara, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, tha një natë më parë se u angazhuan 12 automjete zjarrfikëse, 60 forca operacionale dhe 2 automjete nga Forcat e Armatosura.
Kjo është hera e dytë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët këtë verë. Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme në Elbasan pati edhe një tjetër vatër zjarri, ku disa ullishte u përfshinë nga flakët. Për të neutralizuar flakët u desh ndërhyrja me helikopter.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Zjarrfikëses, Arben Cara, ndërhyrja në landfill është një nga sfidat më të mëdha, për shkak të përmasave të mbetjeve, lëndëve të djegshme dhe temperaturave të larta në thellësi.




