Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, dikur një mbështetje shumë e madhe e Sali Berishës, tani jo vetëm që është kundër tij, por edhe një kundërshtare e fortë ndaj Belind Këlliçit, i cili është propozuar nga “Foltorja” si kandidat për kryetar Bashki në Tiranë sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit. Teksa e cilëson si “kloun” Këlliçi, Kokalari u shpreh dje në rrjetet sociale se kandidimi i tij është si produkt i pazareve të pista. Ajo thotë se në këtë drejtim ka mbivlerësuar ndershmërinë e Sali Berishës, pasi besonte realisht se “Foltorja” do të sillte ndryshimin, por nuk rezultoi kështu.
“Tashti më thonë që kjo gjëja mund të ketë gënjyer dhe për masterin dhe prandaj Ministria Arsimit s’ia njeh diplomën. Po gërmoj më tej e do t’ju them. Se si u reduktua PD e ‘Rithemelimit’ tek ky klloun, zoti e di. Se pse Berisha mbylli sytë dhe veshët me këtë njëri dhe ky mister është. Që pazaret janë arsye s’ka asnjë diskutim, por sa kyç paska qenë ky pazar që këta sakrifikuan gjithë atë mund të ‘Foltores’ dhe më detyruan dhe mua t’ju dal kundër, është akoma për t’u parë. Që Berisha bëri gabim që nuk reagoi dhe mbasi i kërkova ndihmë, për sulmet që ky lëtyrë lançoi ndaj meje vjet në verë, besoj se tashmë kaq e kanë kuptuar të gjithë dhe për të qenë e sinqertë, s’kam ndërmend ta lë të kaloj. Demokratët mos më kërkojnë më llogari pse i jam kthyer këtij gjësë, apo dhe Berishës vetë. Nëse ndonjë prej jush mendon që sulmet ndaj meje vjet ishin të justifikuara, hajde ma vërtetoni dhe do tërhiqem. Ndryshe, moral koti mos bëni sepse nuk do ta lë kurrë veten të baltosem në mënyrën se si më baltosën disa me dijeninë e plotë të Berishës, vetëm se ekspozova vjedhjet dhe manipulimet e këtyre. Dhe gjë mangut nuk do t’i lë….”, shkruan ajo.
Më tej aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari paralajmëron shkërmoqjen e “Rithemelimit”. Sipas saj, demokratët u prenë në besë nga dyshja Berisha-Këlliçi.
“Tashti shoh ‘Foltoren’ se si po vetshkatërrohet dhe më vjen keq që me naivitet mbivlerësova aftësitë e tij për të bërë ndryshime reale në PD, që si pasojë, do të sillnin ndryshime në të gjithë arenën politike të vendit. Në fakt aftësitë i kishte, unë mbivlerësova ndershmërinë e tij. Si përfundim, kjo gjëja (çfarë do që ta quani) gënjeu për diplomën e gjimnazit, mundësisht masterin, gënjeu çdo demokrat prezent që votoi në 30 prill, gënjeu të gjithë ata që votuan kryesinë, gënjeu me garat e forumit rinor, mundësisht me primaret për bashki dhe ju doni të më mbushni mendjen që ky është më i mirë se Erion Veliaj??? Nëse prisni mbështetje nga njerëzit thjeshtë se e prezantoni si produkt të PD-së, juve ju ka ikur të gjithëve mëndja”, u shpreh ajo.