Deputetja e PD Jorida Tabaku ka folur për mediat pas miratimit të rritjes së çmimit të energjisë për konsumin mbi 800kWh. Tabaku tha se kjo është një fatkeqësi dhe se nga kjo rritje do të preken familjet që kanë pasur edhe rritje të tjera të shpenzimeve, ndërsa ERE dhe qeveria duhet të kishin interesin e qytetarëve parësor. Sipas Tabakut nuk duhet lejuar përdorimi i krizës për biznes dhe mbrojtja e të fortit nga qeveria dhe jo e të dobëtit.
“Rritja e çmimit nuk është e justifikuar. Çmimi duhet të jetë në përputhje me pagat e qytetarëve të cilët goditen nga kjo rritje e çmimit. Rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve dhe karburantit. Qeveria vetëm po rrit taksat dhe tarifat. Asnjë qeveri nuk rrit taksat dhe çmimet në periudhë krize. Është fatkeqësi sepse buxheti i kompanive që menaxhojnë krizë është 500 mln euro. Ata që preken nga kjo rritje janë familjet që kanë shpenzime të tjera të rritura, është shtresa e mesme.
ERE duhet të ketë parësor interesin e familjeve dhe qytetarëve shqiptarë, por fatkeqësisht nuk e patën. Propozuam disa masa. Qeveria duhet të diversifikojë energjinë e përdorur. Së dyti, transparencë totale për shpenzimet e KESH-it dhe OSHEE-së. Shpenzimet në këtë sektor mbi abuzimet me çmimin e energjisë duhet të ishin objekt hetimi. Kemi kërkuar që kursimet të gjendej në këto kompani. Kjo kosto nuk duhet të transferohet te qytetarët, ndërkohë që ekziston buxheti i shtetit. Nuk mund të lejojmë që edhe kriza të përdoret për biznes dhe që qeveria të mbrojë më të fortin dhe jo më të dobëtin”, u shpreh Tabaku.