Festivali i RTSH, ndryshimet dhe emrat pretendentë që pritet të shkojnë në “Eurosong”

0
49
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këtë vit me shumë kuriozitet po pritet Festivali i RTSH. Kjo, për faktin se kur duhen edhe më shumë se 2 muaj nga ky event, kanë nisur të përfliten tashmë emrat e parë që do të marrin pjesë. Mediat kanë deklaruar se do të jetë Arbana Osmani ajo që këtë vit do të moderojë Festivalin e RTSH. Sipas tyre, Arbana do të ketë suport në këtë event bashkëshortin e saj, Eduart Grishaj, i cili do të jetë regjisor i festivalit. Burimet bëjnë me dije se ftesa i ka ardhur nga miku i saj, drejtor i RTSH, Enkel Joti.

Ndërkohë kanë nisur të zbulohen edhe konkurrentët e parë. Edhe këtë vit, si edhe vitet e shkuara, Evi Reçi do të marrë pjesë në festival, duke tentuar këtë herë edhe fitoren e madhe. Grupi “Urban Band” që këtë vit merr pjesë me një vokalist të ri si Endrik Beba, paraqitet me një krijim të rokerit Eugent Bushpepa, zbulonte “Kryefjala”.

Grupi “Produkt 28”, por që këtë herë do të vijnë të ndarë, pasi Fabian Basha ka një krijim të tijin, ndërsa kantautori Alban Kondi vjen këtë herë duet me këngëtaren e re Loré, artiste e re që menaxhohet nga vetë ai.

Një emër që ka spikatur në listën e artistëve është edhe ajo e këngëtares Fifi, që pritet të jetë edhe një ndër pretendentet për çmimin e madh. Ndërkohë që shumë është përfolur edhe pjesëmarrja e Ylli Limanit në këtë festival, por ka qenë vetë artisti kosovar që e ka mohuar lajmin. Ai ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH, që fituesin e çon në festivalin evropian të muzikës, Eurovision, ama la të kuptohet se moderatorja do të jetë Arbana Osmani.

Ky reagim i artistit erdhi në rrjetin social “Instagram”, në të cilin ai u shpreh: “Nuk do të marr pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH për Eurovision”, duke mbyllur kështu çdo thashethem se artisti mund të jetë pjesë e Festivalit. Më herët, edhe Elvana Gjata ka konfirmuar se nuk garon në Festivalin e RTSH-së Ndërkohë që vit pas viti të shumtë janë personazhet që zbulojnë pakënaqësitë e tyre ndaj këtij kompeticioni muzikor.

Këngëtarja Olimpia Smalaj ka folur së fundmi për projektin e saj më të ri muzikor, eksperiencën e saj të parë si aktore dhe një incident që ka ndodhur gjatë pjesëmarrjes në Festivalin e RTSH-së. E ftuar në emisionin ‘ABC-ja e mëngjesit’, Olimpia zbuloi se kishte pasur në moment gjatë provave të festivalit ku ishte ndjerë e acaruar për faktin se kishte ndjerë një lloj diferencimi nga artistët e tjerë, të cilët kishin më shumë prioritet.

“Pata një shpërthim gjatë provave. Ishte shumë intensive, kishte një minutazh të caktuar për të bërë prova. Duhet vetëm dy herë prova gjenerale, ndërsa disa të tjerë kishin prioritet. E ngrita zërin për diçka që m’u duk e padrejtë. Pastaj njëra gjë solli tjetrën dhe desh e theva mikrofonin”, rrëfeu këngëtarja, teksa gjithashtu shtoi se dhe përse jo në gjendje të mirë shëndetësore ajo arriti të performonte me sukses natën e festivalit.

Një tjetër që nuk e ka fshehur vështirësinë që mbart ky Festival, ka qenë edhe moderatorja Xhemi Shehu. Teksa foli për këtë eksperiencë në “Top Albania Radio”, Xhemi Shehu u shpreh se është përballur me “momente tensioni që s’dëshironte t’i kujtonte”. Moderatorja u shpreh se “do ta mbajë mend gjithmonë, por nuk do ta përsërisë më si eksperiencë”. “Si eksperiencë nuk kishte lidhje me asgjë që kam bërë gjatë gjithë jetës. Ishin tri ditë shumë intensive me ulje dhe ngritjet e veta. Ka pasur momente tensioni, të cilat nuk dua t’i kujtoj. Dua të kujtoj vetëm momentet e bukura. Do ta mbaj mend gjithmonë, por nuk do ta përsëris më si eksperiencë”, tha ajo./panorama.al

Zjarr Tv Ad