Disa aksionerë të shoqërive të transportit të udhëtarëve në Korçë e Pogradec, janë kërcënuar me armë nga dy grabitës pasi kërkonin që t’u jepnin para.
Dy grabitësit janë arrestuar nga policia, ndërsa mësohet se historia ka nisur në maj të vitit 2018.
Policia zhvilloi një operacion të koduar “Stacioni”, dhe përdori të gjitha mjetet e saj për t’i vënë në pranga dy personat.
Njoftimi i Policisë
Ndalohen dy shtetas për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Strukurat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Stacioni” si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
- E. Ll., 31 vjeç, banues në Pogradec, (i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”).
- S.F., 30 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, Korçë.
Ndalimi i tyre u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, ka caktuar për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Veprimtaria kriminale ka filluar në maj të vitit 2018 dhe në vijim, ku dy shtetasit e lartpërmendur dyshohet se kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes dhe dhunës, disa aksionerë të dy shoqërive të transportit të udhëtarëve, ngjarje të ndodhura në qytetet e Pogradecit dhe Korçës.