Studentët e pajisur me Kartën e Studentit mund të përfitojnë më lirë edhe produktet farmaceutike dhe parafarmaceutike në 69 farmaci të qytetit të Tiranës.
Marrëveshja e firmosur në Bashkinë e Tiranës mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe administratorit të rrjetit të farmacive “Orange” ofron edhe këtë shërbim të rëndësishëm në Kartën e Studentit, në kohën kur dhe situata me pandeminë, por dhe virozat e stinës, po rrisin kërkesën për medikamente edhe tek më të rinjtë.
Veliaj u shpreh se, nga një kartë e munguar për 30 vite, sot, për nga numri i shërbimeve që ofron, Karta e Studentit në Tiranë po konkurron edhe me qytete në vende të zhvilluara që e kanë aplikuar kohë më parë. “Një karte studenti që u debatua e u fol për 30 vite se kush e ka dhe kush duhet ta bëjë, vetëm ne i dhamë dum. Sot, jo vetëm kemi Kartën e Studentit, por ofrojmë dhe 1500 shërbime, – e paprecedentë dhe për shumë prej kartave të studentit në plot qytete të tjera në perëndim ku askush nuk ka kapur këtë rekord shërbimesh,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ai falënderoi rrjetin e farmacive “Orange” që iu shtua paketës së shërbimeve me çmime të reduktuara për studentët në Tiranë, teksa pohoi se gjithnjë e më shumë privati po kthen sytë drejt partneriteteve të tilla. “Për të gjithë nevojat që një student do ketë në Tiranë, tashmë është një rrjet i tërë, i kudondodhur, ndoshta rrjeti më i madh që ne kemi në qytet, i cili ofron që, pjesën e vet të fitimit ta ulë për të ndihmuar studentët. Fakti që sipërmarrja thotë sot do bëj uljen e çmimit, që t’i jap dorë një studenti që mund të ketë nevojë për këto produkte, është diçka që më mbush me shpresë, ndaj edhe mezi pres që të shoh sa më shumë kompani që na japin një dorë,” deklaroi Veliaj.
Ky partneritet u vjen në ndihmë 75 mijë studentëve në kryeqytet, të cilët nëpërmjet 1500 marrëveshjeve të realizuara me bizneset private përllogaritet të kursejnë nga 9.800 deri në 13.900 lekë çdo muaj nëse përdorin shërbimet e ofruara nga karta e studentit.