Floriana Garo, zëdhënëse e Partisë Demokratike, në një intervistë të dhënë për emisionin Dekalog në Dritare Tv, të gazetarit Roland Qafoku, ka zbuluar marrëdhëniet e saj me Lulzim Bashën, gjatë periudhës kur ajo punonte si zëdhënëse e fushatës.
Garo shprehet se, iu desh pak kohë për të kuptuar paaftësinë e Lulzim Bashës në drejtimin e Partisë Demokratike.
Ajo zbulon se kishte një lidhje me Sali Berishën, e cila nuk vinte nga politika, por nga njohje personale. Garo thekson se e kishte konsultuar me Berishën dhe ai e mbështeti idenë e saj për t’u angazhuar në PD.
Për sa i përket Bashës, Garo shprehet se ka vënë re disa mangësi të rëndësishme në stilin e tij të udhëheqjes. Ajo theksoi se Basha nuk ishte i hapur me stafin dhe se nuk ishte mirënjohës për punën që ky i fundit bënte.
“Problemi nuk ishte partia, problemi ishte kryetari. Unë në PD u futa me dëshirën time kur erdha nga Zvicra. Këtu isha në një udhëkryq, të zgjidhja televizionin apo të futesha në një fushë me më shumë impakt në jetën e qytetarëve, pra të kisha më shumë rëndësi në atë që bëja. Pas dëshirës time për t’u bërë pjesë e PD-së, kam takuar Lulzim Bashën bashkë me burrin tim dhe i thashë që jam e gatshme për të kontribuar.
Unë kisha një lidhje me Sali Berishën, një njohje që nuk vjen nga politika, pra takoheshim herë pas here, sepse Berisha preferon të takojë njerëz të fusha të ndryshme. Duke pasur këtë lidhje, unë e pyeta dhe i mora mendim, i tregova se kam takuar Sali Berishën dhe ai e mbështeti këtë ide.
Unë kam punuar shumë pak me Lulzim Bashën, por e kam kuptuar se sa i paaftë ishte. Më ka bërë shumë përshtypje se si nuk ishte i hapur me stafin e tij. Diçka tjetër ishte fakti që ai nuk ishte mirënjohës për punën që stafi bënte. Nuk flisnim me stafin. Nuk kishte punë skuadre,” tha Floriana Garo.