Ashtu si muaji që lamë pas edhe gushti ka nisur me një fluks të madh në pikën kufitare të Morinit. Kujtojmë se gjatë muajit korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. Ndërkohë që pritet që gushti të sjellë një mesatare ditore më të madhe për shkak se lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës do të jenë më të mëdha. Por duket se diçka e tillë po shqetëson autoritetet shëndetësore të Kosovës.
Drejtoir rajonal i Shëndetit Publik në Prizren Fadil Kryeziu, thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të COVID-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve.
Ndërkohë korriku shënoi numrin më të lartë të viktimave dhe të prekurve nga COVID-19 si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.
Por duket se pavarësisht kësaj situate dhe shifrave në rritje qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë. Edhe fundjava e parë e muajit gusht ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve Kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar.
Mësohet se këtë fundjavë (e shtunë e diel) kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, muaji korrik u mbyll më me shumë se 1 milionë pushues kosovarë në bregdetin e Shqipërisë por edhe në qytetet e tjera turistike ndërkohë që mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut.