Gjuha e përdorur nga Edi Rama dje në Kuvend është bërë shkak për revoltën e deputetëve të opozitës gjatë ditës së sotme.
Deputetja Flutura Açka u shpreh se gjuha e përdorur nga Rama është e papranueshme, dhe ajo në cilësinë e kryetares së Komisionit të Etikës, do të bëjë referimet e rastit pranë Kuvendit.
Ndërkohë që gjatë fjalës së saj, Açka iu drejtua Nikollës duke i thënë ”nëse ju doni të zgërlaqeni para Ramës bëjeni, por ne nuk do tia lejojmë këtë as kryetarit tonë”.
“Ajo që ka ndodhur dje ka qenë kulmi, është e papranueshme, është joetike, dhe nuk pati këtu asnjë vërejtj nga zoti Balla apo nga zonja Bushka, të jenë më korrekt me të djeshmen. Sjelljen e kryeministrit do ta depozitoj në sekretariat, nëse ndiheni dhe zgërlaqeni para tij, ne nuk do ta lejojmë këtë sjellje, as ndaj kryetarit tuaj dhe as ndaj kryetarit tonë”, u shpreh Açka.
Gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama e quajti deputeten Jorida Tabaku një ‘balonë tabake’, gjë që u bë shkak për rritjen e zërave mes tyre.