Frrok Çupi publikon FOTON e vjetër me personazhet e njohur të politikës dhe biznesit: Ca i hëngri toka, ca paraja

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti Frrok Çupi, me anë të një komenti ka publikuar një fotografi të shumë viteve më parë me personazhe shumë të njohur të vendit tonë ka analizuar fatet e protagonistëve që shfaqen në foto.

Çupi në komentin e tij ka shkruar “një foto mes nesh…, ca i hëngri toka, ca paraja”.

Komenti i plotë i Frrok Çupit:

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive.

Foton e gjeta mes shumë syresh, pa patur në mendje se po kërkoja një send ‘të caktuar’. Pastaj nisa të mendoj se është foto e vitit ’96 të shekullit të kaluar. Për dreq ka ndodhur që të jetë stinë kujtimesh, e kjo m’i bëri të neveritshme edhe fotot e ‘arkës’ sime, njësoj si kujtimet.

Më mundojnë pyetjet se ç’u bënë këta njerëz?, ku janë?, çfarë ligësish e çfarë zero- things bëjnë?…

Tani, thuajse askush prej tyre nuk është. Ata që nuk janë i mori bota që i solli… Ata që ‘janë’ i mori paraja. Këta paskemi qenë në historinë tonë, jo vetëm në vitin 1996 e këndej: Nga ata që dalin mbi krye të popullit, ca i mori paraja e ca dheu. Ata që i mori paraja (ose morën paratë e miletit), këta qëndruan më gjatë mes ‘popullit të dashur’; sot e kësaj dite u këndohet këngë ‘pasunikëve’dhe ‘xhahilëve’ që për pesë para vrasin ‘si trima’.

Nuk e di sa shumë para kanë këta në foto, por di se këta të gjallët janë të gjallë sepse i shërbyen parasë. Ndërsa të vdekurit kanë shkuar e nuk e di nëse pinjollëve u ka mbetur ndonjë kacidhe.

Jam krejt në vete kur mendoj se Teodor Keko që ndodhet në këtë foto, nuk la asgjë pas tij, ndoshta nja 500 euro që i kishte kursyer teksa shkonte e vinte në spitalin e Selanikut për kimioterapi. Teodori, më i pakti që është, është shkrimtari; ai është modeli i njeriut të hapur. As Gramozi (Pashko), nuk e kishte mendjen te paratë; te një gotë whisky- natyrisht që po, haj deri edhe te një kompjuter. Kur po bëhej kjo Partia Demokratike që tani na del se ishte më shumë një monster për fatet e vendit, atëherë ai mendonte si Asdreni- si t’i bënte një himn Shqipërisë. E ktheu shtëpinë e tij në një ‘kishë’ ku faleshin e ushqeheshin të huaj e shqiptarë që mashtronin se ‘duam demokracinë e popullit’.

Sado i mençur që ishte, Gramozi e pësoi keq nga ‘naiviteti’; ai pranoi të hipte në atë helikopter të kurdisur nga kryeministri i ditës, që e kishte projektuar për ta zhdukur Gramin në det. Pranoi, sepse truri i tij ishte goditur për vdekje. Të tjerët janë këtu me radhë:

Edhe Perikli Teta nuk është më mes nesh. Madje ky është njeriu ynë që as sa Dor Keko nuk la pas; jam i sigurt se asnjë kacidhe. Ditën kur do të luftonte trup me trup kundër bandave kriminale të PD, në vitin 1998, atë ditë ai i tregoi gjithçka kishte në xhepa, në rrobe dhe në kurm. Domethënë- asgjë. “U lava, u pastrova, u vesha dhe u fala si një mysliman dhe si i krishterë i mirë për të shkuar në luftë e për të vdekur aty!’, deklaroi Perikliu, ndërsa ishte ministër i Brendshëm kur detyra e thërriste që të shpëtonte vendin nga bandat kriminale të PD.

Edhe Shahin Kadare ka shkuar vitin e kaluar. Ishte njeriu i mahnitshëm i llojit tonë të mirë. Një prej më të mençurve nga themeluesit e Partisë Demokratike. Kishte fatin ‘e keq’ që ishte vëllai i shkrimtarit Ismail Kadare; e prandaj pati fatin të luante rolin e ‘termometrit’ në organizatën e PD. Sa herë i vëllai, Ismaili, e ndjente dhe shprehte se ‘kjo PD nuk është demokraci’, aq herë lidershipi i PD e hidhte poshtë Shahinin; sa herë i duhej një fjalë e mirë nga Ismaili, atëherë lidershipi afronte Shahinin. Një herë, i tmerruar nga turmat që na rrethonin, më kthehet me sytë të zmadhuar e më thotë: ‘Ore Frrok, u mor vesh se ky popull do të votojë PD-në, po ne për cilin do të votojmë”. E dinte Shahini çfarë monstre ishte PD.

Këta të gjallët janë prapë këtu mes nesh, por ca janë e ca nuk janë, në fakt:

Nuk e harroj kurrë intervistën e Ridvan Peshkëpisë. Ai ka qenë student i Dhjetorit, deputet i PD, pinjoll i Peshkëpive anti- komunistë, poet; e tani është profesor në Universitete të Perëndimit, si dhe kontributor në filozofinë e Shoqërisë Post- Ideologjike… Të kthehem te intervista e Ridvanit: Gazetari televiziv e pyet: ‘Çfarë na thoni për atë periudhë, ju keni qenë … (kështu e ashtu)… në PD”. Si u përgjigj Ridvani?

“Nuk e mbaj mend”, tha.

Kush e ka nderin dhe mençurinë të ndahet prej asaj krijese që edhe sot e kësaj dite trazon ujërat dhe gjakrat; këta janë të pakët. Nuk është ndarë akoma, për shembull, Sandër Frangaj. Kur ka dalë në këtë foto, para tre vjetësh kishte dalë nga burgu, i kishte thënë vetes ‘larg Berishës’, por pastaj hyri prapë në vath. Ama nuk i ndahet këmba nga Berisha. Nuk mund të them se ‘nuk i ndahet shpirti’, sepse njerëzit e pasuruar ashtu nuk kanë shumë shpirt. Nikollë Lesi, si xheloz ndaj pasurimit të Sandrit, e thotë fshatçe se ‘i lumtë, qe i zgjuar, e ndoqi paranë’.

Edhe Neritani, veçse nuk është pasuruar aq shumë, por në radhë të parë e ke kurdoherë. Edhe në këto foto- në radhë të parë është. Veçse orientohet gabim, në të gjitha kohët- gabim; edhe pse një historian i njohur publikisht. Tani që Berishës i ka ardhur fundi e ‘po piqet në tenxhere’, ky shkon i rri pranë tenxheres së Berishës. A del gjë më nga ajo krijesë shkrumb e hi?, veç një zot e di.

Arben Imami, eksponenti i të gjitha qeverive, që nga Ismail Qemali dhe Qemal Ataturku e këndej, me siguri e di çfarë del. Ai tani është i përbetuar të jetë i lidhur me Sali Berishën; ndoshta jo thjesht për paratë e sotme, por për ato që ‘u kryen, bacë’. Ndoshta edhe pse ndodhet në të njëjtën ‘tenxhere gjyqësore’ me vjedhjet e të bijve të Berishës. Por kur nuk ishin këto lidhje, edhe Beni si të gjithë këta që ndodhen në foto, mori ‘fjalën e mori harkun, e mori tankun’ kundër Berishës.

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive. Krijesa PD, e sidomos krijesa Berishë, provoi se mund të çojë në dhè vetë fatin e vendit. Çfarë situatë- monstre më shfaqet para syve edhe përmes këtyre fotove. Më vjen keq vetëm pse është stinë kujtimesh dhe boshllëku.

Zjarr Tv Ad