“Do të jetë një aleancë e fuqishme që do të përmbysë këtë regjim. Sigurisht me kryetarin e Partisë së Lirisë”.
Kështu deklaroi sot Sali Berisha për raportin që ka me Ilir Metën pas zgjedhjeve të 14 Majit duke iu përgjigjur zërave se mes tyre ka një ftohje. Berisha paralajmëroi se vjeshta do të vijë me protesta për të larguar qeverinë. Kauza do të jetë dosja e inceneratorëve.
“Është në nderin e kësaj opozite që protestoi kundër Ballkanit të Hapur, një projekti ruso-serb, anti-shqiptar. Një projekti që mblodhi përçarje në rajon, të madhe. Opozita ka një pjesë të vogël merite të funeralit të Ballkanit të Hapur.
Për inceneratorët do të bëjmë gjithçka për të ngritur protesta të fuqishme. Do të bëj gjithçka që ky popull të ngrihet në protestë” tha ai.
Një koment e kishte edhe për Lulzim Bashën që në fund të korrikut pret që të zgjidhet kryetar i PD-së. “Unë shpresoj se me grupin tjetër, ne do gjejmë mirëkuptim të plotë.
Sepse ata, siç e kam theksuar, kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe parimor ndaj primareve.
Ky qëndrim është qëndrim ndaj një parimi themelor të PD. Kurse me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranojë Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranojë pengun e tij.
Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar.
Nuk mund të ketë. Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”, tha ai.