Fusha e reja të futbollit, Veliaj: Regjistroni fëmijët në sport! Po investojmë në çdo disiplinë

0
43
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka bërë thirrje prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në aktivitet sportive.

Gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e pesë fushave të futbollit pranë kompleksit të pishinave, ai tha se në Tiranë janë të gjitha mundësitë që fëmijët të merren me aktivitete fizike, pavarësisht llojit të sportit që zgjedhin.

“Më vjen mirë që në këtë zonë kemi krijuar një kampus sportive me Parkun Olimpik, fushat e FSHF-së dhe fushat e bashkisë. Sot inkurajimi për prindërit është: regjistroni fëmijët në sport! Nuk ka rëndësi nëse është futboll, nëse është mundje (ku sapo dolëm kampion bote), nëse është peshëngritje (ku prapë jemi kampion bote), nëse është atletikë, me pistën e re për Luiza Gegën – cilido qoftë sporti apo klasa sportive (volejboll, basketboll, për të cilat kemi hapur mbi 70 palestra), është shumë e rëndësishme që fëmijët të merren me aktivitet fizik”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se pas suksesit si Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin tjetër Tirana mund të shpallet Kryeqyteti Europian i Sportit. “Ne përsëri do bëjmë ato që kemi për të bërë dhe që i kemi me pasion, por sigurisht një titull europian na jep akoma më shumë stimul, që të ecim më shpejt në aktivitete të tilla,” tha ai.

“Ajo që premtuam, me gjithë angazhimin tonë në sport, është se do t’i kushtojmë rëndësi të gjitha disiplinave në sport. Pasi morëm në administrim hapësirën e kompleksit të pishinave, ku Federata e Notit ka bërë disa aktivitete aty, tani është sporti i futbollit që ka nevojë për më shumë terrene. Faza e dytë e zhvillimit është pjesa e fushave të mbuluara, sidomos tani që vjen dimri, janë një aset i madh që do e përdorin jo vetëm profesionistët, por edhe amatorët, kryesisht ekipet e fëmijëve dhe të moshave, pasi në Tiranë funksionojnë rreth 250 shoqata,” shtoi Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se në të gjitha fushat do të përdoret ndriçim LED, për të kursyer energji. “Jemi shumë të ndërgjegjshëm për koston e energjisë. Pavarësisht se Bashkia e Tiranës, me hidrocentralin e Lanabregasit e prodhon vetë energjinë elektrike, duhet të jemi të gjithë në kursim, se asnjëherë nuk i dihet sa i ashpër do të jetë dimri. Fakti që kemi kaluar në ndriçim LED do të thotë se po tregohemi të kujdesshëm, për të dhënë më të mirën në çdo investim. Nëse vazhdojmë me këtë kulturë investimesh, që iu qëndrojnë sfidave të kohës, qoftë kushteve të motit, apo çmimeve të energjisë, besoj se i kemi lënë qytetit një “pajë” që do të jetë edhe përtej angazhimit tonë politik në këtë administratë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Zjarr Tv Ad