Kryeministri Edi Rama do të takojë më 15 shkurt Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Për gazetarin në SHBA Robert Papa, ky është një takim protokollar që nuk duhet parë si mbështetje.
“Ftesë nuk ka, janë përralla të vjetra. Shqipëria ka mandatin për kryesinë e këshillit të sigurimit në OKB. Ftesë nuk ka por protokolli është “nëse je në qytet, të presim”. Mos të ngatërrojmë protokollin me mbështetjen ndaj tij. Rama duhet të ndalë propagandën, nuk ka ftesë. Ti je në Uashington, ata të takojnë. Por nuk është mbështetje personale ndaj tij.Rama ka qenë maestro i këtyre, arriti të merrte një takim në shtëpinë e Bardhë duke përfituar në kurriz të interesave të shqiptarëve”, tha Papa për MCN Tv.
Sipas Papës, gjasat janë që gjatë takimit, Blinken të kërkojë diçka nga Rama, kjo nëse marrim parasysh situatën e krijuar në veri të Ukrainës.
“Ata mund të kërkojnë një ndërmjetësim dhe me pozitën e Këshillit të Sigurimit. Më shumë mund të jetë me trupat që amerikanët duan të vendosen në vendet e NATO-s. Mbase punë trupash nuk është, por ajo baza në Kuçovë mund të jetë diçka. Por Amerika ka treguar se këtë këshill e ka anashkaluar shumë herë”, tha ai.