Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas gjyqit për çështjen Gërdeci, është shprehur se nuk e ka shkelur asnjëherë autoritetin e Forcave të Armatosura.
Mediu theksoi se ish-drejtor i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Gërdecit, ndërsa shton se sot është e qartë “që nuk ka të bëjë me implikimin e ministrit apo të interesave të ministrit”.
Ai deklaroi se gjatë kohës së mbante postin e ministrit nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare dhe as atë amerikane.
“Pinari ka qenë një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Gërdecit, e kërkova këtë në emër të së vërtetës dhe drejtësisë.
Kam qenë i kursyer, është hedhur shumë baltë dhe janë bërë shumë aludime, por sot qartësisht duket që nuk ka të bëjë me implikimin e ministrit apo të interesave të ministrit.
Ministri nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare, as amerikane, nuk ka pasur asnjë kontakt me ta, nuk ka shkelur autoritetin e FA për t’i shmangur nga procesi”, tha media pas daljes nga GJKKO.
Fatmir Mediu u shpreh se si ministër i Mbrojtjes nuk i ka shkuar asnjë akt shqetësues në lidhje me procesin e demontimit dhe transportimit të armëve.
“Ka një sistem komandimi kontrolli në FA që do të thotë kur komandohet ose jepet një urdhër ato adresohen dhe zbatohen në strukturat përkatëse, këta të fundit bëjnë aktet e kontrollit. I vetmi akti shqetësues që mua më ka ardhur si ministër i Mbrojtjes ka qenë një raport i policisë ushtarake ku përmendej se në Gërdec po prisheshin godinat pa leje.
Ministri i Mbrojtjes e ka adresuar çështjet tek autoritetet ushtarake dhe civile duke kërkuar që të bëhet një urdhër për procedim penal dhe administrativ të shkelësve. Nuk ka asnjë informacion tjetër që të ketë ardhur as nga MEICO, as nga FA dhe as nga strukturat civile të inspektimit”, shtoi ai.