Gjermania i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të premtën që të shpejtojë marrëveshjet për tregti të lirë me disa shtete, kryesisht në Azi si përgjigje ndaj skepticizmit për këtë të shprehur nga presidenti i ri amerikan, Donald Trump, raporton Reuters.
Në një dokument që i është prezantuar ministrave të financave të BE-së gjatë një takimi në Bruksel, dhe që është parë nga Reuters, fuqia më e madhe ekonomike e bllokut evropian e ka përsëritur qëndrimin e saj se Trump, krahas largimit të Britanisë nga BE-ja, paraqet rrezik për ekonominë botërore.
“Blloku duhet të fuqizojë politikat e përbashkëta në sektore si mbrojtja, diplomacia dhe ekonomia”, thuhet në këtë dokument sipas Reuters.
Në javën e parë në detyrë, presidenti Trump ka nënshkruar largimin e SHBA-së nga marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit me shtetet aziatike.
Dokumenti gjerman përmend 12 shtete, kryesisht në Azi, të cilat janë në faza të ndryshme të negociatave me Brukselin.
“Komisioni (Evropian) duhet të ketë iniciativën tani që të arrij progres përfundimtar në këto negociata”, thuhet në dokument.
Aty nënvizohen marrëveshje potenciale me Indonezinë, Filipinet, Malajzinë, Indinë, Kinën, Vjetnamin, Singaporin, Japoninë, Australianë, dhe Zelandën e Re.///