Nga Agim Xhafka
Para ca ditësh në një fshat të Divjakës dy banorë të tij grabitën dhe dhunuan një të moshuar, 82 vjeçare. Ajo jetonte e vetme, nuk kishte kënd në shtëpi. Normal që çdo njeri irritohet nga ky lajm dhe kërkon gjykim të shpejtë dhe të rreptë ndaj banditëve.
Reagoi drejt edhe deputeti i zonës, Erion Braçe. E mbështes plotësisht indinjatën e tij. Nuk i heq një presje asaj që ka thënë. Të isha deputet si Erioni mbase do isha më i egër. Gjithsesi e përshëndes.
Por i kujtoj se ato janë gjysma e së vërtetës.
Qeveria e tij dhe e jona sillet ndaj të moshuarve më keq se ata dy grabitësit. Nuk i dhunon me shkop e me grushte. I dhunon psh., me pensionet lëmosha që të mjerët pleq nuk nxjerrin dot as një javë me aq lekë. E sheh Erion që veproni dhe ju si dy grabitësit?! E për më tepër u bëni karshillëk e talleni kur faqe të gjithëve në televizione e gazeta trumbetoni rritjen dyfish të rrogave të ministrave dhe deputetëve. Të rrogës tënde, dmth. Fiks si ata dy grabitësit që rrahin e që qeshin, o Erion.
Ndërsa banorëve të Divjakës e më gjerë ua shtoni lëmoshën më pak se inflacioni real. Që mendohet është 50% për ushqimet. Bile indeksimin, atë 8,9% ua quani dhe rritje pensioni!!! Ti Braçe e di mirë që ky është mashtrim i kulluar se edukimin bazë e ke ekonomist. Pra nëse me x lekë ata më parë blinin 2 kg domate tani me indeksimin që u dhatë ata blenë 1.7 kg domate. Pra më pak. Ama qeveria tënde o Braçe shqiptarëve këtë marifet ua quan rritje, ua quan mirëqenie, lumturi, begati, gëzim dhe harmoni.
Se dhe thyerjen e qafës krekosje e ka fjalori i Rilindjes.
Dje deputeti Braçe me të drejtë u egërsua ndaj dy hajdutëve të Divjakës. Po sa mirë sikur ai dhe të tjerët të trimërohen me qeverinë që e mbajnë më këmbë me kartonat e tyre. E ka përse. Psh për braktisje të fshatit, për hedhjen në kanal të prodhimeve, për rritjen e naftës, të plehrave, të farërave. Për mungesën e dritave.
Se siç po e provon populli ata dy banditët e Divjakës qenkan më të edukuar se banditët e qeverisë. Ata vjedhin e rrahin, Rilindja nuk bën veprime kaq vulgare. Të çon drejt varrit, por të le aty mu te buza. Nuk të fut brenda pa të marrë edhe groshën e fundit.
Kaq sa për Divjakën se po u hap thesi i halleve të Shqipërisë do mbyllet Braçe në shtëpi e do na dalë në mejdan pas ca vitesh duke u justifikuar si Majko. Jo me dhëmballën se ajo është ekskluzivitet i Pandit.
Por mbase do thotë, më ishte ngjirur zëri këto muaj, o shokë. Ndaj heshta. Se dija unë ç’i bëja kësaj qeverie!!! U rruje leshtë, dmth.
Do qeshte me të populli i Shqipërisë dhe i Divjakës së tij.