Gledis Nano fiton gjyqin. U shkarkua pa arsye, dëmshpërblim 5 vite pagë drejtori

0
381
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gledis Nano ka fituar betejën e parë me Këshillin e Ministrave. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë duke e konsideruar shkarkimin e tij në gusht të vitit 2022 si të paligjshëm dhe duke detyruar qeverinë që t’i paguajë rrogën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për pesë vite, aq sa është mandati i emërimit në këtë post.

Nano u emëruar në krye të Policisë së Shtetit në tetor të vitit 2021. Pa mbushur ende vitin, ai u shkarkua me urdhër të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Bledi Çuçi. Shkarkimi i tij shkaktoi edhe reagimin e ndërkombëtarëve.

Çuçi argumentoi shkarkimin me performancën e dobët të policisë së shtetit. Gledis Nano iu drejtua gjykatës, ku veç kërkesës për pagat ishte edhe rikthimi në detyrë. Gjykata i dha të drejtë për shkarkim të paarsyetuar dhe e dëmshpërblen me pesë vite pagë si drejtor i përgjithshëm policie, por pa e rikthyer në radhët e uniformave blu.

Gjykata thotë në vendim se vlerësimi i performancës nga ana e Ministrisë së Brendshme për Gledis Nanon vetëm për tre muaj në detyrë, në një kohë që ai ka qëndruar dhjetë muaj në postin e drejtorit, është i gabuar.

Administrativja thotë se qeveria ka diskrecion të pakufizuar në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por këtë diskrecion nuk e ka për shkarkimin, pasi ligji e thotë qartë se shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mund të bëhet vetëm në dy raste: kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

Për këtë arsye Administrativja vendos që ta konsiderojë të paligjshëm shkarkimin dhe t’i japë Nanos të drejtën e marrjes së pagave për të pesta vitet. Vendimi nuk është përfundimtar dhe ai është apeluar nga ana e Avokaturës së Shtetit.

Zjarr Tv Ad