Grabitja e biznesmenit në Durrës, 9 persona shoqërohen në polici, asnjë në pranga

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nëntë persona janë shoqëruar në polici në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Durrës.

Tre persona të maskuar kanë hyrë me dhunë në shtëpinë e një biznesmeni në Shkozet ku kanë lidhur anëtarët e familjes me litar dhe sipas policisë, kanë grabitur 10 mijë e 800 euro.

Sipërmarrësi i dëmtuar nga kjo ngjarje mësohet se është Elton Kelmendi me aktivitet në fushën e transporteve. Autorët dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e biznesmenit i cili kishte dalë për një kafe me gruan dhe djalin.

Teksa kthehej në shtëpi sipërmarrësi është përballur me autorët që prisnin tek dera e jashtme e banesës. Pasi i kanë vënë armën në kokë, tre personat kanë hyrë brenda dhe kanë lidhur bashkëshortët.

Në largim, grabitësit kanë rrëmbyer dhe djalin i cili është lënë i lirë disa kilometër më tej kur mjeti i autorëve ka dalë në rrugën kryesore për tu larguar drejt Shijakut. Pasi është kthyer në banesë ai ka liruar prindërit duke bërë më pas dhe denoncimin e ngjarjes në policinë e Durrësit.

Forcat e rendit ngritën postblloqe ne të gjithë zonën ndërsa në pyetje janë marrë dhe familjarët e biznesmenit, të cilët kanë dëshmuar për personat që kanë dijeni mbi paratë që familja mban në shtëpi.

Nga dëshmitë e anëtarëve të familjes së biznesmenit është zbardhur edhe fakti se agresorët kanë qenë të veshur me uniforma të forcave speciale të policisë.

Ndërkohë pak minuta më vonë një tjetër grabitje është denoncuar në qarkun e Durrësit. Dy persona të maskuar kanë ndaluar një automjet tip Benz në zonën e Thumanës në Fushë Krujë. Pasi kanë zbritur dy udhëtarët, të cilët mësohet se ishin banorë të Kukësit, agresorët kanë grabitur automjetin dhe janë larguar.

Në një deklaratë policia tha se shtetasi me iniciale A.K., kishte ndalur mjetin në rrugë dhe e kishte lënë ndezur, në momentin kur persona ende të paidentifikuar i kanë marrë makinën duke e kërcënuar dhe janë larguar.

 

Zjarr Tv Ad