Parlamenti grek i ka dhënë mandatin kryeministrit Aleksis Tsipras që të kërkojë reparacione lufte në vlerën qindra miliardë dollarë nga Gjermania, për krimet dhe dëmet e ndryshme materiale që vendi pësoi gjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore. Ky është vendimi i parë parlamentar për temën e shumëdebatuar të kompensimeve, të cilën kreu i qeverisë premtoi katër vite më parë se do e zgjidhte.
Parlamenti grek ka miratuar një rezolutë e cila detyron qeverinë vendase të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë dhe diplomatikë për të kërkuar reparacione miliardaeuroshe kundrejt Gjermanisë.
Prej vitit 2016, një komision dypartiak parlamentar në Greqi ka vlerësuar se pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore i shkaktuan vendit 300 mijë viktima dhe dëme materiale e financiare në vlerën 300 miliardë euro me kursin e kohës.
Propozimi i komisionit u kalua të mërkurën mbrëma pas një debati që zgjati plot 12 orë mes deputetëve të dy krahëve politikë.
Përpara votimit, kryeministri Aleksis Tsipras tha se do i dërgojë Berlinit një notë verbale rreth të drejtës së patjetërsueshme për kompensim.
Tsipras: “Kjo është detyra jonë historike dhe morale, dhe besojmë se për të pasur një të ardhme më të mirë duhet të mbyllim çështjet e mëdha të së shkuarës. Besoj thellësisht se Gjermania e kupton këtë dhe do të bëjë të njëjtën gjë.”
Edhe kryetari i partisë kryesore opozitare, Kirjakos Micotaqis, tha se zgjidhja e problemit të reparacioneve duhet të jetë prioritet i çdo qeverie, ndërsa e ashtuquajtura “kredi e okupacionit nazist” të jetë argumenti themelor i vendit në përballjen me Gjermaninë.
Pak orë më herët, zëdhënësi i Berlinit tha se gjermanët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike, porse tema e reparacioneve është mbyllur ligjërisht edhe politikisht në vitin 1960, kur dy palët arritën një marrëveshje e cila rezultoi në pagesën e 115 milionë dojçmarkave për pasojat e luftës.