Ish-deputetja demokrate, Grida Duma, i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, pas statusit të këtij të fundit se me buxhetin e vitit 2021 do të kemi rritjen më të madhe të pagave për mjekët dhe infermierët.
Ish-deputetja Duma thekson se ky është një mashtrim i Ramës, i cili sipas saj, ‘vazhdon të dërdëllisë se situata në Shqipëri është e njëjtë me vende të tjera. Madje këtë fshehje faktesh vetëbeson se e ka zgjidhje”.
Mesazhi i Dumës:
Zgjimi i përditshëm kryeministror me mëngjesin që sheh nga dritarja e facebook-ut, të ofron Shqipërinë e “mbaruar”. Këtë mëngjes nga ajo dritare thotë se i paska kryer dhe detyrat ndaj shëndetësisë!! Me çfarë? I paska vënë në buxhetin e 2021. “Punëmbaruari” e ka vesin virtyt; krenohet sot, për atë që duhej dje, por e ka lënë për nesër! Buxheti i 2021 qenkërka 40 përqind më shumë për 18 mijë mjekë e infermierë. Mashtrim me efekt dështim!
Por sa herë ai e guxon mashtrimin, ne do qartësojmë faktet; se si ndihma e tij ekonomike është më e ulëta, se si spitalet shqiptare po zhyten në kolaps, se nuk ka asnjë plan dhe vendet e tjera në botë po e trajtojnë këtë krizë me përgjegjësinë që ai nuk e ka. Rama mbulon dështimin me gënjeshtër. Atoparlanti i tij i propagandës të shurdhon veshin e arsyes. Ndërsa shiptarët nuk morën asgjë nga premtimet për ndihmë reale financiare dhe mjekët e spitalet u dergjën në kolaps.
Shifrat të larta ka, ato gjenden në numrat e humbjeve të jetës. Humbja e kontrollit po infekton popullatën. E dimë që askush nuk pret më që Rama të mund të gjejë zgjidhje, sidomos kur vendi lëngon në një ekonomi të varfër e të shkatërruar. Bashkë do ta mundim këtë të keqe! Do ta shërojmë Shqipërinë, e do shpëtojmë ekonominë. Do sjellim shpresë në Shqipëri, ku çdo ditë zgjimi do të jetë për më mirë e më mirë!