Qeveria shqiptare ka vendosur të ndalojë importin e shpendëve të therrura dhe të gjalla nga 15 vende të Bashkimit Europian dhe nga Izraeli.
Urdhri është lëshuar nga ministrja e Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, Milva Ekonomi, “Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës avariare me patogjenitet të lartë të shpendëve”, në datën 23 prill 2021 dhe është i publikuar në fletoren zyrtare të datës 29 prill.
Vendimi vjen pas rrezikut të gripit të ri të shpendëve që rezulton se po përhapet me shpejtësi në disa shtete europiane si Kroacia, Franca, Italia, Gjermania, Polonia, Hungaria, Rumania, Çekia, Holanda, Belgjika e të tjera.
Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë sanksionon ndalimin e importit dhe tranzitimit për në territorin e Republikës së Shqipërisë, të shpendëve të gjallë shtëpiakë dhe të egër; zogjtë 24-orësh; shpendë dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; importimin e vezëve, mishit si dhe nënprodukteve të shpendëve nga 15 shtetet europiane dhe Izraeli.
Ky vendim vjen pas raportimit të Autoritetit Europian të sigurisë ushqimore EFSA, se në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021 janë zbuluar mbi 1000 raste të infektimeve nga një virus tepër ngjitës i quajtur HPAI A(H5), i përhapur në shpendë të egër dhe të butë.