Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ka përsëritur edhe njëherë para largimit të tij nga kjo detyrë domosdoshmërinë e rivendosjes së besimit të humbur mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, pas vendimit zhgënjyes për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me 18 tetor.
Për Hahn kjo është e vetmja rrugë që do të siguronte zbatimin e reformave në këto vende.
“Është koha të mbajmë premtimet dhe angazhimet dhe të pranojmë përparimine këtyre dy vendeve. Nuk duhet të lëmë një boshllëk në rajon i cili do të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë politikë që nuk kujdesen për standardet dhe vlerat e BE. sHpresoj që gabimi strategjik i mosdhënies së dritës jeshile të merituar për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të rregullohet.”
Deklaratat Hahn i bëri në takimin e grupit Miqtë e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Europian.
“I lumtur që isha sot në Parlamentin Europian për të diskutuar mbi arritjet dhe perspektivat e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Do të doja të falënderoja eurodeputetët për mbështetjen e vazhdueshme”.
Eurodeputetët vlerësuan komisionerin në largim për zgjerimin Johannes Hahn për bashkëpunimin dhe punën e tij në politika e zgjerimit.