Hakerimi i shtetit dhe Rama si hakërrues i mediave

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA BELINA BUDINI

Sulmi i sistemeve kompju terike të institucioneve shqiptare është i rëndë por po aq i rrezikshëm është hakërrimi që vetë Kryeministri u bën mediave të këtij vendi. Për të mos folur për inxhinierinë e tij elektorale dhe atë institucionale e sociale, për të cilën edhe metafora e hakerimit del e pamjaftueshme për ta përshkruar.

Pa dyshim, sulmi kibernetik nga jashtë është çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare që kërkon hetim dhe ekspertizë të lartë, si një përgjegjësi madhore e shtetit shqiptar. Aq më tepër, kur këto sulme janë të përsëritura dhe me pasoja për të gjithë ne.

Mirëpo, jo më tepër sesa kur sulmet vijnë nga brenda, sikurse është rasti i hakerimit të të dhënave personale të çdo të punësuari, votuesi apo zotëruesi automjeti në këtë vend, sulme këto po aq brutale dhe me përgjegjësi për institucionet. Vjedhja dhe përdorimi i të dhënave tona personale, në rastin e listave të patronazhistëve, nga vetë partia-shtet, kanë lënë pas jo vetëm një shije të hidhur, por edhe ndjesinë e të qenit të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj çdo trilli hakerues.

Kur flitet për trille, ai që më tepër është toleruar për të tilla është vetë Kryeministri i këtij vendi, që në raport me mediat ka një repertor sjelljesh nga më të larmishmet dhe nuk e ekzagjerojmë po të shtojmë edhe atë të profilit të hakërruesit. Madje, nuk është as krejt e re apo e papritur si sjellje po të kujtojmë jo thjesht hakërrimet e tij të vazhdueshme simbolike, ato të gjuhës, apo të mbeturat në tentativë, por precedentë konkretë si mësymje direkte në media, sikurse ka qenë rasti me çështjen e “Agon Channel”, “Lapsi.al”, apo së fundi me “News 24” dhe “Balkanweb”.

Në secilin prej këtyre rasteve ndërhyrjet janë konsideruar të jashtëligjshme dhe janë penalizuar ose pezulluar me vendim Gjykate, brenda ose jashtë vendit. Tejet flagrante dhe brutale për t’u justifikuar, akte dhune si këto e kanë nxjerrë pa dyshim zbuluar në mëkatin e tij të preferuar Edi Ramën: në tundimin për të “vrarë” median. Jo vetëm simbolikisht!

Është domethënës nxitimi përmes Policisë së Shtetit, pa pasur një vendim gjyqësor për këtë, për të urdhëruar sekuestrimin dhe bllokimin e publikimeve nga të gjitha mediat shqiptare të informacioneve që mund të dalin nga databaza e hakeruar, edhe pse mund të jenë me interes dhe në shërbim të publikut. Si edhe në rastin e projektligjit për shpifjen, Kryeministrin e bezdisur nga mediat e tradhton impulsi censurues. I bashkëngjitet kështu aktit të hakerimit, edhe një akt censurimi. Të dyja të faturuara me një gjest të vetëm komunikimi si të ishin në një marrëdhënie shkak-pasojë, pavarësisht se janë krejt të palidhura.

Po kaq paradoksale është ideja e krijuar se kemi liri shprehjeje me bollëk në këtë vend, vetëm për faktin se çdokush thotë ç’t’i shkrepë në rrjet. Sigurisht, rrjetet sociale nuk mjaftojnë si instrumente për lirinë e të shprehurit. Kur censurohen mediat, që nga portalet e nënvlerësuara dhe deri tek ato klasiket e mbivlerësuara, na është hequr liria e të shprehurit të gjithëve bashkë. Prandaj sulmi ndaj mediave me anë të censurimit, përdorimit të dhunës, apo qoftë edhe në formë shantazhi, lë një shije po aq të hidhur sa edhe hakerimi, në mos më tepër. Kur autor i këtij sulmi nuk është një organizatë terroriste por vetë autoriteti shtetëror, nuk duket më e tepërt t’i shohësh njëlloj. Për analogji, të dyja përdorin aksesin e paautorizuar për të kompromentuar njëra rrjetet e të dhënave kompjuterike dhe tjetra mjetet e informimit publik. Cili nga të dy është më i rëndë? Kam frikë se ky i fundit!

*Dekane e UET

Marrë nga rubrika “Mediapolis”, në Liberale.al

Zjarr Tv Ad