Shtëpia e Bardhë i revokon kredencialet korrespondentit të CNN-it, Jim Acosta disa orë pas përplasjes në konferencën për shtyp.
Incidenti
Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë mbi rezultatet e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Jim Acosta e pyeti presidentin rreth karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që duan të kërkojnë azil në SHBA.
Kur presidenti u përpoq t’i jepte fjalën një gazetari tjetër, Acosta refuzoi të lëshonte mikrofonin dhe e pyeti zotin Trump për ngritjen e mundshme të akuzave kundër Presidentit nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.
Zoti Trump i tha gazetarit të “lëshonte mikrofonin”, por korrespondenti i CNN-it refuzoi. Më në fund gazetari hoqi dorë nga mikrofoni dhe u ul, por Presidenti filloi ta qortonte atë nga podiumi. “CNN duhet të ketë turp për faktin që ju punoni për të. Jeni njeri i vrazhdë, i tmerrshëm. Ju nuk duhet të punoni për CNN”, tha zoti Trump.
Presidenti më pas i kërkoi një gazetari tjetër të bënte pyetje, korrespondentit të rrjetit NBC Neës, Peter Alexander, i cili i doli në mbrotje Acostës. “Ai është një gazetar i zellshëm që punon shumë si të gjithë ne,” tha Alexander. “Atëherë po ju them se nuk jam as tifoz i madh i juaji,” tha zoti Trump. Më pas, gazetari Acosta u ngrit dhe filloi t’i fliste presidentit pa mikrofon. Presidenti u përgjigj: “kur ju raportoni lajme të rreme, gjë që CNN-i e bën shumë, ju jeni armiku i popullit”.
Reagon CNN
Acosta prej kohësh ka qenë një kundërshtar i Shtëpisë së Bardhë. Përmes një deklarate CNN mbrojti reporterin e tij: Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka revokuar kredencialet korrespondentit kryesor të CNN në Shtëpinë e Bardhë, Jim Acosta” thuhet në deklaratë. Kjo ndodhi pas pyetjeve sfiduese në konferencën për shtyp. Në një reagim, sekretarja e shtypit Sarah Sanders gënjeu. Ajo bëri akuza mashtruese dhe përmendi një incident që kurrë nuk ka ndodhur. Ky vendim i paprecedentë është një kërcënim për demokracinë tonë dhe vendi meriton më mirë. Jim Acosta ka mbështetjen tonë të plotë. “