Kryeministri Ramush Haradinaj nuk dëshiron që të rinjtë e vendit të largohen drejt Gjermanisë dhe Austrisë për një jetë më të mirë, por kërkon të bëjë Kosovën, si këto dy shtete.
Një deklaratë të tillë kryeministri Haradinaj e bëri gjatë ceremonisë së 14 vjetorit të themelimit të Gjimnazit “Loyola” në Prizren. Ai tha se Kosova është Evropë por i mungon lëvizja e lirë, e cila shumë shpejt do realizohet.
“Ne jemi Evropë, Kosova është Evropë, na mungon lëvizja e lirë por edhe ajo do të vjen, por edhe lëvizja e lirë dhe mundësitë me lëvizë lirshëm janë mundësi me e pa se çka ndodh në vendin tonë e çka ndodh në vendet e tjera. Por ne duhet të synojmë ta bëjmë jetën këtu, që rinia jonë të fokusohet, të vazhdojë brez pas brezi me zhvillu Kosovën. Dëshira jonë është më bë Kosovën Gjermani e Austri, e jo të rinjtë tanë me shku në Gjermani e Austri. Ne do të vazhdojmë të u ofrojmë nxënësve në këtë shkollë një shkollim të mirë, të u garantojmë një shkollim të mirë, dhe pas shkollmit në Loyla, një mundësi për shkollim të mëtejmë për fakultet, dhe disa prej nxënësve e kanë edhe mundësinë të vazhdojnë në gjermani, të studiojnë apo të bëjnë shkrim profesional”, tha ai.