Të shumta kanë qenë reagimet për ngjarjen e ndodhur në Himarë, pasi një gomone në drejtimin e Arjan Tase goditi për vdekje 7-vjeçaren në plazh në Himarë. Për këtë situatë ka reaguar edhe aktivisti i shoqërisë civile Adriatik Lapaj, ndërsa është treguar i ashpër ndaj kryeministri Edi Rama.
Reagimi i plotë:
Hesht Edi!
Hesht kur nuk ke ndjeshmërinë për të kuptuar dëshpërimin që kaploi sot të madh e të vogël! Hesht kur nuk gjen dot fuqinë për të pranuar fajin e për të marrë veprime të ashpra që zgjidhin problemin! Hesht Edi se sot jemi në zi! Madje shpalle nesër zyrtarisht ditë zie se jeta e vogëlushes për nga padrejtësia si iku e trauma që shkaktoi te ne është dhimbje që preku çdo zemër të shëndetshme. Hesht Edi se sot nuk vdiq thjesht një fëmijë, por vdiq edhe më shumë besimi i popullit te mundësia që ky vend mund të ndryshojë!
Sipas teje ne as kur na vrasin nuk kemi të drejtë të flasim?!
Ti nuk hesht Edi se ti e di që nuk të ndodh gjë. Ndaj guxon dhe sillesh keq dhe në ditë si kjo. Sot normalisht populli duhet të të kërkonte llogari. Por, ti e di që nuk ndodh. E di ti se bashkë me ata të tjerët e keni lidhur në 700 zinxhirë. Keni ngritur një sistem të lig balte që ju ruan nga çdo reagim. Nuk hesht se e di që nëse ndokush nga ne ngrihet e t’i sjell njerëzit te dera ti dhe tellallët e tu që janë kudo do nisni të thoni: “Ata që u ngritën bëjnë politikë me të vdekurit”.
Pastaj ata që janë si ty por që sot ndodhen në opozitë të trembur se mos u ikën monopoli i opozitarizmit do vazhdojnë ison e do thonë: “I ka ngritur Edi këta që të shfryjnë revoltën popullore”. E kështu ti Edi dhe ata si ty përballë teje na mbani ne nën sundim. Na shtypni. Na vrisni. Pastaj na kërkoni dhe të heshtim duke na thënë ne se po merremi me politikë.
Hesht TI Edi se sot jemi në zi.
Postimi në faqen e Facebook të avokatit.