Dyshohet se krimi në familje i ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Alliasit në Tiranë, ka ndodhur pas konflikteve mes bashkëshortëve, gardistit Alket Arapaj dhe gruas së tij, pasi kjo e fundit donte të fillonte punë.
Dyshohet se ka qenë mos dakordësia e 44-vjeçarit që e shoqja Ervilma Seferaj, 36 vjeçe, të fillonte punë, ajo që ka çuar në krimin tronditës.
Mësohet se vrasja ka ndodhur në kuzhinë, në katin e katërt të pallatit ku jetonte çifti.
Ishin fqinjët ata që lajmëruan policinë për krimin e ndodhur, teksa vajza e mitur e çiftit ishte në gjumë.
Mësohet se vogëlushja është marrë nga familja e nënës së vrarë, ndërsa i ati u arrestua.
Policia tha zyrtarisht se 44-vjeçari Alket Arapaj, punonjës në Gardën e Republikës, në banesën e tij, rreth orës 06.00 të mëngjesit të kësaj të marte, me armën e shërbimit ka vrarë gruan e tij.
Mësohet se Arapaj ishte besimtar mysliman dhe ndiqte rregullisht ritet fetare, ndërsa gruaja ishte e mbuluar.
Prej afro 20 vitesh ai ishte pjesë e Gardës së Republikës me gradën “Kapiten”.
Fqinjët e çiftit thonë se ishin bashkëshortë model, duke hedhur dyshime se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale, pasi nuk e besojnë dot që Arapaj të ketë vrarë të shoqen.
44-vjeçari u arrestua pak pas krimit nga efektivët e komisariatit Nr.4 të policisë, në bashkëpunim me Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.