Protestave 14-javore në Hong Kong iu bashkuan të hënën studentë dhe nxënës nga shumica e shkollave të vendit. Ata apeluan për plotësimin e pesë kërkesave që do i siguronin qytetit më shumë autonomi nga Kina.
Mijëra studentë të Hong Kongut u kapën të hënën dorë më dorë me njëri-tjetrin për t’u solidarizuar me protestat antiqeveritare të tre muajve të fundit.
Të pajisur me postera ku paraqiteshin kërkesat kryesore drejtuar qeverisë, studentët apeluan autoritetet të përmbushin zotimet për liri, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
“Nuk kemi për t’u dorëzuar asnjëherë sepse po bëmë një hap pas, do të humbasim përgjithmonë. Ne do e vazhdojmë dhe përshkallëzojmë aksionin tonë,” deklaroi një studente e e territorit gjysmautonom kinez.
Përveç tërheqjes së projektligjit për ekstradimet që tashme është arritur, protestuesit kërkojnë të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të vendit, hetim të pavarur mbi dhunën e ushtruar nga policia, lirimin pa kusht të mbi 1,200 të arrestuarve prej muajit qershor, si edhe moskarakterizimin e protestave si revoltë popullore.
Një ditë më parë, aktivistët i drejtuan këto kërkesa përpara konsullatës amerikane në Hongkong, duke i bërë thirrje madje presidentit Donald Trump t’i bëjë rezistencë Pekinit dhe ta çlirojë vendin nga Kina.
Protesta u shoqërua edhe me akte vandale dhe përplasje me policinë.
Qeveria e Hong Kongut por edhe Kina kanë refuzuar çdo ndërhyrje të fuqive të huaja në punët e brendshme të vendit.
Nga ana e tyre, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian kanë apeluar palët të ulen në negociata për të sheshuar mosmarrëveshjet që vazhdojnë prej të paktën 14 javësh.