Policia shpëton dy turistë të huaj në Theth, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Bjeshkët e Kaprres.
Pas 8 orë kërkimesh nga Policia dhe banorët e zonës u bë e mundur gjetja e dy turistëve, në gjendje shëndetësore të mirë.
Në orët e mbasdites së djeshme, Policia ka marrë njoftim se në afërsi të Bjeshkëve të Kaprres, dy turistë, S. C., 27 vjeçe nga Holanda dhe C. S., 33 vjeç nga Irlanda e Veriut, kanë ngatërruar rrugën për të dalë në qafën e Valbonës dhe kanë dalë në vendin e quajtur “Qafa e Pejës”.
Nga shërbimet e Policisë në Theth bashkë me banorët e zonës pas 8 orë kërkimesh, u bë e mundur gjetja e tyre në vendin e quajtur “Maja e Jezercës” në një zonë të thepisur dhe me rrezik për jetën e tyre.
Policia ka bërë transportimin e turistëve për në Theth të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Dy turistët kanë falënderuar Policinë dhe banorët për gjithçka bënë për t’i shpëtuar, pasi gjendeshin në kushte të vështira dhe në rrezik për jetën, pa ujë dhe ushqime, si dhe të kërcënuar nga kafshët e egra në atë mjedis ku ndodheshin.