Kombëtarja shqiptare e futbollit ka udhëtuar drejt Francës paraditen e sotme, në kuadër të përgatitjeve për takimin e së shtunës ndaj kampionëve të Botës, Francës.
Me të shkelur në tokën franceze, kapiteni i kuqezinjve, Elseid Hysaj është ndalur për mikrofonin e “France Football” duke komentuar situatën në ekip, kundërshtarin dhe objektivat e Shqipërisë.
“Ne duam rezultat pozitiv, nuk vijmë këtu për të humbur. Franca është Francë, por jam i sigurt që me këtë grup dhe me këtë trajner (Edy Reja) ne do të tregojmë vlerat tona. Ne shkojmë me idenë për të marrë pikë, një ose tre, me lojë të mirë dhe duke fituar terren. Sigurisht që do të përballemi me një ekip më të fortë, por Shqipëria mund të fitojë.“-u shpreh Hysaj.
Takimi mes Francës dhe Shqipërisë është i vlefshëm për grupin E kualifikues të Euro 2020, mbrëmjen e së shtunës në orën 20:45.