“I bekuam ‘te vendi’ që s’thuhet”/ Rrëfim i një politikani italian n’dashni me Shqipëri, ironia therëse e deputetes Açka për portin e Durrësit

0
67
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, njëherësh dhe shkrimtare, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e Portit të Durrësit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pa dakordësinë e opozitës.

Në një shkrim në “Facebook” Açka shpalos talentin e saj në penë, ndërsa nuk i kursen ironitë me historinë e një personazhi të saj, një politikan i njohur italian (pa emër) dhe biznesmenit që do të ndërtojë portin e ri.

Mes ironisë të cilën nuk e kursen në doza, Açka tregon bisedën mes biznesmenit dhe politikanit italian që ndodhet në Dubai, ku ky i fundit pyet se si u arrit kjo marrëveshje.

MESAZHI I AÇKËS

Nga Dubai në Durrës

Rrëfim i një politikani italian n’dashni me Shqipëri

Një politikan i lartë italian, i spektrit të djathtë, i njohur për jetën e tij luksoze dhe marrëzitë e shpeshta duke hyrë e dalë nga politika italiane në tridhjetë vitet e fundit, vendosi të vizitojë Dubain.

Muzgu e zuri në një kat të lartëm të një prej ndërtesave më të larta, tek rehatohej në ndenjëset luksoze përballë murdritës ku po argëtohej me dinjitarët e qytetit të ndërtuar në ajër.

Befas, tek shihte dritaret e errëta të ngrehinave përballë, vërejti se ato u ndezën menjëherë, si me urdhër, në të njëjtën kohë. Bëri një gjest të dukshëm habie, por nuk e çoi deri në fund.

– Çfarë ndodhi? – pyeti i hutuar.

– Po ja, – tha dinjitari dubajez, i cili edhe vetë habitej shpesh me pasurimin e tij të përbindshëm, – e sheh këtë butonin këtu? E shtypa dhe u ndezën. Unë e kontrolloj këtë qytet, paratë e mia janë shteti, ajri, bursa, mileti. A t’i shuaj për ty?

– Jo, e kam frikë errësirën.

Dinjitari i bëri shenjë një shërbëtori aty dhe tjetri shtriu fët e fët një hartë të Mesdheut.

Politikani i lartë italian u përkul të shihte dhe i ndali sytë te forma prej çizmeje e atdheut të tij.

– Këtu e kemi projektin e radhës, – tha dinjitari dubajez dhe shtriu gushtin mbi gjirin e Durrësit, këtu do të bëjmë portin më luksoz të ish-perandorive. Luksi është perandoria e re.

– Në mare nostrum? – klithi politikani italian.

– Nuk e di si i thoni ju, në kontratë shkruhet Durrës.

Politikani italian vuri duar në kokë. Sa shekuj ishte përpjekur atdheu i tij ta bënte të vetin atë gji, dhe nuk ia kushte dalë. Çfarë nuk i erdhën në mend, por nuk ishte vendi t’ia rrëfente këtij dinjitari më paralli se ai këtë histori kombesh. Por pati edhe një kureshtje të fundit.

– Po si ia dolët t’i bindni?

– E thjeshtë fare, i bekuam “te vendi që s’thuhet”. Dhe e kishin pasur të thellë, mezi ngopej, por ia dolēm. U zumë keq me vite, por u mirëkuptuam.

– Po pse ne nuk ua dolëm dot?

– Ju keni Bisteça alla Fiorentina, por ne kemi Bisteçhi di Nustreti. Kushtojnë më shumë, shumë më shumë…

“O Zot!” thirri pa zë italiani i tronditur dhe përfytyroi tisin që do të mbulonte ngadalë Durrësin, bashkē me antikitetin e tij në vendin e politikanëve të shkollës së ”imbelice”-ve.

Zjarr Tv Ad