Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ditën e sotme ka pritur në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.
Përmes një postimi në “Facebook”, Balla shkruan se Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia.
Ai thekson se Shqipëria do të qëndrojë në krah të popullit ukrainas.
“Ne qëndrojmë në krah të popullit ukrainas dhe e konsiderojmë këtë agresion si një sulm kundër lirisë dhe demokracisë. Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar urdhëruesit dhe autorët”, shkruan Balla.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Shumë i nderuar të mirëpres në Kuvendin e Shqipërisë të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.
Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Ne qëndrojmë në krah të popullit ukrainas dhe e konsiderojmë këtë agresion si një sulm kundër lirisë dhe demokracisë. Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndëshkuar urdhëruesit dhe autorët.
Aleanca jonë – NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me asistencë në siguri për të luftuar agresionin rus dhe për të mbështetur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje.