Zaida Çobo, nëna e të miturit që u dhunua nga policia ka paditur në Gjykatën e Tiranës, kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Çobo kërkon dëmshpërblim 1 milion lekë nga Veliu për shkak të publikimit të të dhënave personale të saj.
Në padi Çobo pretendon se nga veprimet e Veliut i është cenuar nderi dhe dinjiteti. Njëkohësisht ajo i kërkon gjykatës të detyrojë të paditurin të publikojë vendimin gjyqësor në të gjitha mediat e vendit.
Kujtojmë se gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, ku Çobo mbante një pistoletë në dorë.
“Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, u shpreh Veliu.