Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kujton sot ditën e lindjes së shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Ai ndan disa nga frazat e saj dhe thotë se të gjithë duhet të veprojmë ashtu siç ajo na porosit.
Meta citon një shprehje të saj se të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe, në kushtet kur nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ai e quan Nënë Terezën simbol të misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që ka nevojë.
Ilir Meta:
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Sot, në ditën e lindjes së Shenjtores shqiptare dhe të gjithë njerëzimit, Nënë Tereza, simbolit më frymëzues të humanizmit, solidaritetit dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që ka nevojë, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë është të ndjekim dhe të veprojmë çdo ditë sipas shembullit të veprës së saj.
Ashtu siç na porosit: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi”.