Nënkryetari i LSI Petrit Vasili deklaroi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv se drejtësia duhet të kishte reaguar pasi qeveria është ideatore, frymëzuese dhe mbështetësve në çdo element ndaj aferës korruptive të inceneratorëve.
“Absurde. Fjalën në çdo situatë duhet ta merrte drejtësia. Jemi para faktit se drejtësia është shumë e vonuar dhe pasive. Në rrethana të tjera ju e keni parë se ka vepruar rrufe për ndeshjet e futbollit kategori e dytë. Për çështje banale shumë larg misionit të saj bën sikur vepron. Këto janë elemente të qartë për një aferë kriminale me miliona euro që demonstron një shtet në dispozicion të mafies që e mbështet, i hap dyert, nuk i pengon.”-tha Vasili.
Ndër të tjera Petrit Vasili tha se ministrja e ekonomisë Delina Ibrahimaj ka qenë pjesë, një hallkë në këtë pjesë të krimit shtetëror që ka funksionuar në bazë të urdhrit politik që mos t’i krijojë mafies asnjë problem, kur ishte në pozicionin e drejtoreshës së Tatimeve.
“Pa dalë denoncimi, vetëm me ndonjë shkrim investigativ që hedh një fakt të shkëputur për abuzim të tillë në botë, edhe në nivele të dyta e të treta, largohen ministrat, e në nivele të mëdha largohen kryeministra, se nuk kryejnë detyrat shtetërore.”-deklaroi Vasili.
Sakaq nëkryetari i LSI Petrit Vasili deklaroi se drejtësia tashmë duhet të ishte në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe në të gjitha zyrat shtetërore pasi janë përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve.
“Këto jo vetëm që qeveria duhet të largohej, një orë e më parë. Njëkohësisht drejtësia duhet të ishte në zyrat e Ramës dhe gjithë shtetit, duhet të bënte operacionin më të madh ndonjëherë.”-deklaroi Vasili.