Irani do t’i përgjigjet draftit bërthamor të BE-së deri në mesnatën e së hënës

0
126
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Irani do t’i përgjigjet draftit “përfundimtar” të Bashkimit Evropian deri në mesnatën e së hënës së 15 gushtit.

Kështu ka bërë me dije ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian, duke u bërë thirrje SHBA-ve të tregojnë fleksibilitet për të zgjidhur tre çështjet e mbetura për të shpëtuar një pakt bërthamor të vitit 2015.

“Nuk duam të arrijmë një marrëveshje që pas 40 ditësh, dy muajsh apo tre muajsh të dështojë të materializohet në terren”, ka thënë ai.

“Në mënyrë të veçantë janë tre çështje… Nëse këto tre çështje zgjidhen, mund të arrijmë një marrëveshje. Por dështimi për të ringjallur paktin, nuk do të ishte fundi i botës”, ka vijuar ministri.

Sipas Amirabdollahian, ditët e ardhshme janë shumë të rëndësishme.

“Do të kemi nevojë për më shumë bisedime nëse Washington-i nuk tregon fleksibilitet për zgjidhjen e çështjeve të mbetura. Ashtu si Washington-i, kemi planin tonë B nëse bisedimet dështojnë”, ka theksuar ai.

Javën e kaluar, BE-ja si koordinatore e bisedimeve bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, ka thënë se kishte paraqitur një tekst “përfundimtar” pas katër ditësh bisedimesh indirekte midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Vjenë.

Sakaq, Washington-i ka thënë se është gati të arrijë shpejt një marrëveshje për të rivendosur marrëveshjen në bazë të propozimeve të BE-së.

Javën e kaluar, zyrtarët iranianë kanë thënë se do të përcjellin “pikëpamjet dhe konsideratat e tyre shtesë” në BE.

Zjarr Tv Ad