Ironia e Manjanit: Na lanë gjithë natën pa gjumë nga muzika e lartë, dhe në orën 9 mëngjesit u ankuan se e lehura e qenit zgjon turistët

0
376
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-ministri i Drejtësisë përmes një postimi në Facebook ka treguar një incident të vogël që i ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bregdet. Manjani shkruan se kanë qenë zgjuar gjithë natën nga muzika e lartë dhe kur kanë nxjerrë qenin për shëtitje, pronaret e beach bar-it u ankuan se e lehura e qenit zgjon turistët.

Statusi i plotë i Ylli Manjanit në Facebook:

Mbrëmë këtu në plazh, kishte party. Dikush festonte ditën e lindjes në një nga beach baret e plazhit. Atmosferë, drita, veshje elegante, parfume, madje kishte dhe policë. Bukur shumë.

Muzika në kupë të qiellit deri në orët e mëngjesit. Vështirë të flije. Hajt më, në plazh jemi edhe do tolerojmë. Fundja ky avaz nuk është i përnatshëm.

Sidoqoftë me cilësinë e muzikës së luajtur mbeta i pakënaqur. Veçanërisht i keqardhur u ndjeva me stonaturën konstante të këngëtarëve live. Ishin dramë! Ishin dhe këngëtarë të njohur. Zhgënjim ishin!

Nejse, iku nata. Në mëngjes dolëm në plazh bashkë me Runin, qenin tonë. Dalim çdo ditë. Ajo luan e gëzon shumë. Edhe leh nga kënaqësia.

Ndërkohë, në orën 9:00, pronarët e beach bar-it që na bënë gjithë atë zhurmë mbrëmë, dërguan një qehaja për të më thënë që të ndaloja qenin së luajturi e lehuri në plazh, se i flenë njerëzia!!!

Mezi e kuptova ç’thoshte korbi, por më në fund arrita të kuptoj se pronarët e lokalit të zhurmës flenë. Qeni jonë kur luan ditën bëka më shumë zhurmë se muzika e lartë e luajtur natën?!

U përmbajta goxha mirë, me thënë të drejtën. U kujtova se e lehura e Runit kur luan është ku e ku më natyrore se stonaturat muzikore që na lanë mbrëmë pa gjumë. Më erdhi në ndihmë e qeshura…

Qehajait i dhashë një mesazh për pronarët. Sigurisht, Runi vazhdoi lojën…

****

Të gjitha i kuptoj dhe i pranoj, por stonaturën (jo vetëm muzikore) e kam shumë problem…

Zjarr Tv Ad