Një ndër 15 më të kërkuarit e Beratit është ekstraduar nga Gjermania.
Policia njofton se shtetasi i ekstraduar është Byniamin Hajro, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy personave të ndodhur në 1997.
Hajro ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2017 Gjykata e Apelit, Vlorë e kishte dënuar me 25 vite burg. Ngjarja ndodhi në vitin ’97, në Berat ku u rrëmbyen dhe më pas u vranë shtetasit Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.
Ndërsa hetimet për ngjarjen nisën në 22 mars 1998.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë në vitin 2017 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim ” parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Me datë 17.04.2012, është vendosur rifillimi i hetimeve në lidhje me ngjarjen e datës 22.03.1998 ndodhur në Berat, ku u rrëmbyen dhe më pas u vranë shtetasit E.P. dhe A.A”,- njofton policia.
Gjykata e Apelit Vlorë në vitin 2017 ka deklaruar fajtor për këtë ngjarje shtetasin Byniamin Hajro duke e dënuar me 25 vite burgim.
Si ndodhi vrasja?
Vrasja e dy viktimave, Arjan Avdullai dhe Eduart Pema, ka ndodhur më datë 3 qershor 1997 në orën 10:30 në lagjen “Jani Vruho”. Ata janë marrë peng nën kërcënimin e armëve dhe janë torturuar, duke i tërhequr zvarrë me makinë dhe iu është hedhur benzinë e më pas janë djegur.
Vëllai i një prej viktimave, i cili ishte dhe një nga dëshmitarët kryesorë për ngjarjen ka treguar pas shumë vitesh ngjarjet, ku në lagjen “Vakëf” u vranë Arjan Avdullai dhe Eduart Pema. Ai ka thënë se më 2 qershor 1997, rreth orës 17:00 të pasdites ka qenë me vëllain, Eduart Pema, duke ndenjur në trotuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf”, afër spitalit “Befotrof”. Banda me emrin e lagjes njihej në atë kohë si një nga më të ashprat.
Hetimet për këtë çështje janë rihapur në vitin 2012, pas dëshmisë së Bledar Pemës. Sinjali i parë që solli rihetimin e ngjarjes u mor nga një efektiv policie që mësoi se familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat ishin larguar jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes.
Dëshmia e vëllait të viktimës, Eduart Pema, Ronaldo Pema
Ronaldo Pema ka treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes, teksa personat i marrin peng të vëllain. Ai ka pohuar se i ka dalluar personat dhe ndër ta ishte edhe Byniamin Hajro, banor i lagjes “Kushtrim”. Dëshmia marrë në gazetën “Panorama”
Ronaldo Pema: Vjen nga lagjja ‘Vakëf’ një makinë veturë e tipit ‘Benz’, ngjyrë e bardhë, me targa Berati, numrat nuk i kam të fiksuar. Makina ndaloi para këmbëve tona. Prej saj zbresin 4 persona, që arrita t’i njihja. Ishin: Byniamin Hajro, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kudret Zhuka, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kastriot Frashëri, banor i lagjes ‘Kushtrim’, aktualisht mbahet në Burgun e Kosovës në Lushnjë, dhe Gazmend Hoxha, banor i lagjes ‘Kushtrim’. Të gjithë personat, kur zbritën nga makina në duar mbanin automatikë kallash. Makinën e drejtonte Byniamin Hajro. Këta persona afrohen drejt nesh me automatikë në duar. Sa mbërrin aty Byniamin Hajro së bashku me Kudret Zhukën, i thonë Eduartit ‘futu në makinë’.
Ai nuk kundërshtoi, por u fut në makinë menjëherë, u ul në sediljen mbrapa mes Gazmend Hoxhës dhe Kastriot Frashërit. Makina iku në drejtim të shtëpisë së Byniamin Hajros. Unë nuk reagova pasi në atë kohë isha vetëm 13 vjeç dhe personat ishin të armatosur. Shkova në shtëpi. Aty gjeta mamanë, Hamiten, babain, Novruzin, dy vëllezërit, Sokol dhe Haxhi Pema. U thashë se Eduartin e morën nën kërcënimin e automatikëve Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha. Familjarët u shqetësuan, por duke pasur parasysh me kë kishin të bënin, nuk bënë asnjë veprim konkret. Më pas, unë, pasi pashë se nuk po vinte vëllai, u nisa për të shkuar drejt shtëpisë së Byniamin Hajros. Ora ka qenë rreth 17:30 e datës 2 qershor 1997 dhe pashë te garazhi i Byniaminit vëllain tim Eduartin të lidhur me tel me gjemba me duar mbrapa, të shtrirë në tokë dhe që katër personat e morën dhe e qëllonin me qytë automatiku. Garazhi ishte i hapur, qepeni ishte i ngritur lart. U tregova familjarëve për atë që kisha parë.
Ata u shqetësuan dhe thane që ‘nuk kemi çfarë t’u bëjmë atyre se ata të vrasin’. Policia nuk funksiononte. Të nesërmen u ngrita në orën gjashtë të mëngjesit, shkova te garazhi i Byniaminit për të parë nëse ishte vëllai aty apo jo. Dera e garazhit ishte e hapur, brenda tij pashë Bynaimin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Të shtrirë në dyshemenë e garazhit të lidhur me tela me gjemba pashë vëllain tim Eduartin dhe Arjan Avdullain. Katër personat, Bynaimin Hajro, Kudret Zhuke, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha lidhën me një tel te ganxha e rimorkimit nga mbrapa të një makine ‘Golf’ me ngjyrë si gri me targa Berati, numrat nuk i mbaj mend, dy trupat e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullajt. Mbasi i lidhën, katër personat hipën në makinë, si shofer hipi Gazmend Hoxha, në sediljen e parë si pasagjer u ul Kastriot Frashëri, ndërsa Kudret Zhuka dhe Byniamin Hajro hipën në sediljen e pasme. Ndezën makinën dhe u nisën drejt sheshit të lagjes ‘Vakëf’, dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin ‘Vakëf’.
Unë nuk iu ndava nga mbrapa makinës që i tërhiqte zvarrë deri te sheshi. Aty makina ndaloi, zbritën prej saj Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha, të gjithë me automatikë në dorë. Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha shkuan dhe zgjidhën telin te ganxha e makinës. Mbasi i zgjidhën telin këta të dy hapën derën e bagazhit të makinës e nxorën prej saj një shishe qelqi, me sa kam të fiksuar, mund të ketë qenë njëkilëshe, dhe me lëngun që kishte ajo spërkatën dy trupat e Eduartit dhe të Arjanit. Mbas spërkatjes, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha iu vunë flakën. Trupat morën flakë dhe në këtë moment Arjan Avdullaji u ngrit në këmbë dhe filloi t’i shante Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Në këtë kohë Gazmend Hoxha gjuajti me automatik me breshëri drejt Arjan Avdullajt dhe e la të vrarë në vend. Mbasi bënë këtë veprim Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha u larguan. Kufomat e të dyve vazhduan të digjen. Unë në këtë kohë shkova në shtëpi dhe u thashë pjesëtarëve të familjes për ngjarjen që kishte ndodhur”.