Revista amerikane, Mother Jones, raportoi në vitin 2018, se pagesat që Lulzim Basha po bënte për një lobist në SHBA mund të kishin origjinë nga Rusia.
Tani që një raport i inteligjencës amerikane e konfirmon diçka të tillë, revista i është rikthyer çështjes.
Gjithçka nisi kur Basha punësoi një lobist- një ish-ndihmës të Ted Cruz, të quajtur Nick Muzin- për ta ndihmuar atë në kontaktet me Trump dhe republikanët në Uashington.
Muzin mori një pagesë prej 500 mijë dollarësh lidhur me lobimin e tij shqiptar. Origjina e atyre parave ishte e errët dhe e diskutueshme. Muzin dhe Basha dhanë shpjegime të ndryshme, por provat sugjeruan se paratë erdhën nga Biniatta Trade LP, një kompani guaskë e regjistruar në Skoci nga dy kompani të tjera guaskë, të cilat ishin me bazë në Belize.
Sipas revistës, kompania Biniatta Trade, ka lidhje me rusët. Kjo revistë shkruan se dosja e Bashës në Shqipëri u mbyll në rrethana të dyshimta.
Por ajo thotë se Lulzim Basha pati një takim me ambasadorin rus në Shqipëri, të cilit i tha se ai është më i përshtatshëm për interesat ruse se rivali i tij.
“Biniatta i bëri pagesat në përkrahje të partisë së Bashës në të njëjtën kohë që pati një takim kontrovers me ambasadorin e Rusisë në Shqipëri dhe sinjalizoi se ai mund të ndryshonte më lehtë në përputhje me synimet anti-perëndimore të Rusisë krahasuar me kryeministrin në fuqi që po sfidonte,” shkruan revista.
‘Mother Jones’ shkruan se ka kërkuar një qëndrim nga Departamenti i Shtetit për këtë çështje.
“Ne nuk do të hyjmë në informacione specifike të inteligjencës, por kemi qenë të qartë për shqetësimin tonë për aktivitetin e Rusisë për të ndikuar në procesin demokratik në vende të ndryshme anembanë botës, duke përfshirë edhe tonin,” tha një zëdhënës i DASH.
Nick Muzin nuk pranoi të komentonte për revistën./syri.net