Rreth 700 emigrantë pa dokumente nga shtete të Afrikës Perëndimore kanë protestuar në qendrën e Parisit për më shumë të drejta dhe shtetësinë. Të mbledhur brenda mauzoleut të Panteonit ku prehen figurat më të shquara të vendit, protestuesit “jelekzinj” theksuan se ata po skllavërohen si shekuj më parë.
Qindra emigrantë të paligjshëm pushtuan të premten monumentin parisian të Panteonit për të denoncuar kushtet e jetesës me të cilat ata përballen në Francë.
Duke huazuar nga lëvizja antiqeveritare e “jelekverdhëve”, të vetëquajturit “jelekzinjtë” për shkak të prejardhjes së tyre nga Afrika, kërkuan dhënien e dokumenteve për të jetuar në vend si shtetas normalë.
Emigrantë nga dhjetëra qendra strehimi të Parisit dhe rretheve, si edhe banorë të banesave sociale, bënë thirrje për dialog me kryeministrin francez, Eduard Filip.
Ata thanë se në kryeqytet ka 200 mijë apartamente të lira, ndërsa emigrantët detyrohen të jetojnë poshtë urave apo në qendra emigracioni të cilat duhen mbyllur.
Rreth 600 emigrantë u futën në mauzoleun francez ku prehen figurat më të ndritura të vendit, për t’u shoqëruar jashtë pas disa orë negociatash me policinë.
Protestuesit thanë se bllokimi i Panteonit francez kishte një mesazh specifik, për të denoncuar poshtërimin që atyre po u bëhej sikurse shekuj më parë kur vendi i skllavëronte njerëzit me ngjyrë.
Në mbështetje morale të emigrantëve dolën disa politikanë të majtë, ndërsa kryetarja e partisë ultradjathtiste, Marin Lë Pen, shprehu zemëratën e saj.
“Është e papranueshme kur sheh shtetas të paligjshëm që zaptojnë pa u ndëshkuar qendrën e Republikës tonë. E vetmja e ardhme e emigrantëve në këtë vend është largimi i tyre, ky është ligji,” u shpreh Lë Pen me një mesazh në Twitter.
Jelekzinjtë kanë protestuar edhe më parë kundër shfrytëzimit dhe largimit nga Franca, dhe janë zotuar ta zgjerojnë aksionin deri në përmbushjen e kërkesave.