Dy çiftet çeke që u kapën një ditë më parë në tunelet e uzinës së armëve në Poliçan janë hetuar nga qelia. Gjykata ka vendosur që ata të hetohen në gjendje të lirë për shkelje të perimetrit të sigurisë. Gjatë marrjes në pyetje turistët kanë pretenduar se janë turistë dhe se kanë ngatërruar rrugën duke përfunduar brenda në tunel.
Tashmë do të jetë prokuroria e Beratit që do të vijojë hetimet ndaj tyre në gjendje të lirë.
Dy prej çekëve u ndaluan nga policia gjatë paradites së djeshme pasi ishin futur brenda në tunel. Ndërkohë pak orë më vonë policia shoqëroi edhe bashkëjetueset e tyre të cilat po i prisnin në distancë jashtë tunelit.
Policia ngriti dyshime se ata po fotografonin ambientet e uzinës së armëve duke qenë se të shtunën mbrëma u krijua një tjetër precedent ku dy rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në uzinën e armëve në Gramsh.
Ata sulmuan ushtarët e vendosur për të ruajtur këtë objekt dhe kjo është një indicie që ka shtyrë autoritetet të hetojnë ndaj tyre për përfshirje në spiunazh.