Nga Artan Fuga.
Kush kërkon të dijë se përse anash tavolinës të Presidentit të ShBA marrëveshja nuk përfundoi me një njohje tekstuale të Kosovës nga Serbia, duhet ta kuptojë që për këtë mund të bëhen njëqind supozime.
Unë i kam të miat. I kam shprehur te botimi im “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pas-totalitare” (Papirus), kush të dojë t’i gjejë atje. Këtu nuk ka vend për hamendje të kota!
Ka vend të lexohet gjeopolitika e aleatit strategjik dhe gjeopolitik të Shqipërisë dhe Kosovës, pa të cilin Kosova dhe kosovarët do të ishin çdo mëngjes të detyruar të thoshin “dobrodanije”!
Ajo që tërheq vëmendjen unë, sipas kuptimit tim janë konceptet e mëposhtme që shfaqen:
Në marrëveshjen Serbi – Kosovë të realizuar edhe me dakordësinë amerikane, Shqipëria nuk ka asnjë status të privilegjuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit. Këtë duhet ta kuptojnë qartë si politikanët kosovarë, por edhe ata që drejtojnë dhe do të drejtojnë Shqipërinë në vitet e ardhshme.
Sigurisht kjo nuk e zhbën fare “vëllazërinë” tonë, na takon ne ta forcojmë, as nuk zhbën që ne jemi bashkërisht shqiptarë, por ama kemi dy shtete të ndara dhe madje, siç del nga teksti, të barazlarguara nga shtetet e tjera.
Maqedonia, Serbia, Shqipëria, pra edhe Mali i Zi, si shtete janë po aq edhe afër Kosovës sa edhe Shqipëria.
Unë e kam theksuar leximin tim prej vitesh që sidomos Shqipëria si shtet nuk duhet t’i fusë hundët në çështjet e brendshme të Kosovës, për territore, ndryshim kufijsh e më the e të thashë, më shumë sesa i intereson gjeopolitikisht çdo shteti ballkanik. Por, nuk është as nëna, as baba, as vëllai i madh, as motra e madhe dhe aq më pak njerka e Kosovës.
Shqiptarët kanë dy shtete më vete në Ballkan dhe çdo përpjekje e sotme për t’i konsideruar si dy shtete prej gjasme, se në fakt janë një, është krejt në kundërshtim me kuptimësinë gjeopolitike të kohëve të sotme. Sot për sot po them!
Prandaj nuk ka kuptim që ambasadorët e Shqipërisë të përfaqësojnë Kosovën, qoftë edhe në psikologjinë e brendshme të pavetëdijshme të tyre, as që ministra të Shqipërisë të importohen nga Kosova.
Jemi vllazën sigurisht, por secili në shtëpi të vet!
Shqipëria në marrëveshje përmendet bashkë me shtetet e tjera gjeopolitikisht kur flitet për një nismë “Mini- Shengen”. Kaq!
Marrëdhënie shtetërore të privilegjuara shqiptaro–shqiptare, që frymëzohen nga një shpirt i përbashkët i padiskutueshëm, i pazhbëshëm kombëtar shqiptar, nuk mund të jenë duke injoruar faktorët e tjerë në Ballkan!