Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim ka dhënë dorëheqjen. Ai do të tërhiqet zyrtarisht nga detyra më 1 shkurt, ndonëse kishte mandat deri në vitin 2022. Banka Botërore është njëra nga donatoret më të mëdha të fondeve për vendet në zhvillim
Presidenti i Bankës Botërore, Xhim Jong Kim ka dhënë papritur dorëheqjen pas 6 vitesh në detyrë. Lëvizja e tij është konsideruar surprizë pasi në vitin 2017 ai ishte zgjedhur për të kryer mandatin e dytë deri në vitin 2022. Dorëheqja do të hyjë në fuqi më 1 shkurt dhe zoti Kim, 59 vjeç, do të angazhohet në radhët e një kompanie për rritjen e investimeve në infrastrukturë në vendet në zhvillim.
“Ka qenë një nder i veçantë për mua të shërbeja si kryetar i këtij institucioni unik, me bashkëpunëtorë profesionalë dhe të përkushtuar në objektivin për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme në epokën tonë”, ka deklaruar Kim.
Asnjë arsye nuk është dhënë për largimin e tij, ndërkohë që Kristalina Georgieva, shefe ekzekutive e Bankës Botërore, do të mbajë postin e Presidentes së përkohshme.