Deputetja e PD, Jorida Tabaku e ka quajtur “çmenduri” caktimin e çmimeve të larta të naftës nga Bordi i Transparencës, të cilin e quan “klubi Oligarkëve të shndërruar në bord”.
Sipas saj, caktimi i këtyre çmimeve :është një luftë e hapur që i bëhet Tregut të Lirë dhe logjikës së lirisë”.
Duke iu referuar shpjegimeve që ka bërë ministrja e Financave për mënyrën si Bordi i vendos cmimet, Tabaku shkruan:
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Kjo çmenduri me çmimet e larta të naftës që përcaktohen nga Klubi Oligarkëve të shndërruar në bord është një luftë e hapur që i bëhet Tregut të Lirë dhe logjikës së lirisë.
Alibitë që kemi dëgjuar se gjoja Klubi Oligarkëve të Naftës bashkë me qeverinë po mbrojnë konsumatorët nga çmimet e larta ngjajnë si një eksperiment ku Klubi po përgatitet të mbajë tanimë çmimet mbi 200 lekë për litër.
Ironikisht Klubi Oligarkëve që do mbronte shqiptarët nga abuzimi nuk e ka zbritur thuajse asnjëherë çmimin poshtë 200 lekë/litër ndërkohë që fitimet i ka rritur. Një koordinim perfekt me qeverinë që ka pjesën e saj në çmimet e kripura dhe të hidhura të naftës.
A ka shkuar qeveria të negociojë me Klubin e Oligarkëve për çmimin e naftës në pompën e benzinës kur çmimi ka rënë në çmime poshtë 100$/barrelë? Asnjëherë! Përkundrazi ministra dhe zv kryeministra janë angazhuar në mbrojtjen publike të Klubit ndërsa shqiptarët e paguajnë sa “frëngu pulën” një litër naftë.
Efektet në ekonomi gjithnjë e më të dukshme. Produktet e qumshtit, mishit, vajrat, orizi të gjitha në rritje si pasojë e kësaj sjellje të pandershme dhe anti-kapitaliste.
Në Gjermani mund të udhëtoje për 3 muaj të verës me një çmim prej 9 euro kryq e tërthor me transport publik. Në Shqipërinë e socializmit dhe Klubit të Oligarkisë paguan 220 lekë për litër çmimin e naftës, më i shtrenjti në rajon.
Asnjë subvencion nga qeveria që merr 60% të çmimit taksa. Shqiptarët paguajnë taksa si vendet e OECD dhe marrin shërbimet si vende të botës së tretë!
Kështu nafta është shembulli më i mirë se si gërshetohet sistemi ekonomik dhe politik që ka instaluar Rama në këto 8 vite;
Së pari taksat e larta që aplikohen mbi çmimin e naftës fundor.
Së dyti, kapja e tregut nga Klubi Oligarkëve të Naftës që tanimë përcaktojnë dhe çmimet.
Tani, me ç’duket, çmimi do mbetet i lartë edhe kur lufta të mbarojë. Arsyeja e ekzistencës së Klubit të Oligarkëve të kthyer në Bord çmimesh është pikërisht ajo e vendosjes së kufirit të ri të çmimit, mbi 200 lekë/litër.
Justifikimet dihet që do jenë qesharake por do të propagandohen nga ortakët e këtyre oligarkëve që sot qeverisin.
Kush do qe zgjidhje?
Së pari, shkrirja e këtij Klubi Oligarkësh të kthyer në Bord. Tregu i Lirë e shpëton konsumatorin dhe spekulimin jo klubi oligarkëve. Heqja e Bordit do ndihmonte tregun dhe konsumatorin.
Së dyti, heqja apo ulja e taksës së qarkullimit dhe taksave të tjera që do të ulte automatikisht çmimin e naftës në pikat e benzinës. 60% e çmimit të naftës sot janë taksa dhe tarifa të padobishme që i merren konsumatorit.
Së treti, subvencione reale tek konsumatorët dhe hetim i plotë i tregut të shitjes së naftës.
Këto tre hapa mund t’i kryejë një qeveri e përgjegjshme që nuk ndan aksionet dhe fitimet e përfitimet me Klubin e Oligarkëve.