Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, komenton deklaratën e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, lidhur me situatën e kanabisit në vendin tonë.
Në konferencën e përbashkët që mbajti mesditën e sotme me homologun austriak, Wolfgang Sobotka, ai u pyet lidhur me atë që Manjani deklaroi se në mbledhjen e qeverisë është diskutuar mbi problematikën e kanabisit dhe nëse për vitin 2017 ka ndonjë plan konkret për ta luftuar.
“Unë nuk jam komentator, jam ministër dhe kam detyrimin të bëj punën time më mirë për një Shqipëri më të drejtë, më të sigurtë dhe më të zhvilluar. Nuk kam dëshirë të komentoj komentet, aq më pak kur komentet janë nga një koleg tjetër i imi, i cili po si unë ka detyrën të bëjë sa më mirë detyrën. Punën tonë e vlerëson Kryeministri dhe mbi të gjitha e vlerëson dhe e gjykon publiku dhe qytetarët të cilët me plot të drejtë presin sa më pak fjalë dhe sa më shumë punë”, u shpreh Tahiri.
Ai shtoi më tej se ajo që është bërë në luftën kundër drogës bashkë me partnerët është prioritet maksimal dhe se Shqipëria do vazhdojë të bëjë akoma më shumë për një vend të denjë për shqiptarët.