Presidenti Ilir Meta në një prononcim nga Durrësi për mediat komentoi situatën politike në vend. Meta në fjalën e tij ka sjellë në vëmendje zgjedhjet e 6 marsit ku ka theksuar se është i bindur se qytetarët në këto bashki do të dinë dhe janë në gjendje që të zgjedhin mundësinë më të mirë për to.
“Është kënaqësi që jam në Durrës dhe meqë jemi pranë datës 6 mars dua të theksoj se demokracia është vendosur dhe shpresoj që qytetarët kanë në dorë votën e tyre për të përmirësuar të ardhmen përmes një qeverisje sa më transparente dhe i ftoj të gjithë qytetarët e 6 bashkive që ta shfrytëzojnë këtë mundësi që u jep demokracia që nesër të kërkojnë llogari”, ka thënë Meta.
Ndërkohë Meta reagoi edhe në lidhje me deklaratën e ambasadores Yuri Kim se disa nga kandidatët janë të mbështetur nga persona të shpallur ‘non grta’, duke nënkuptuar rastin e kandidates së Durrësit Emirjana Sako që mbështetet nga Vangjush Dako.
“Jam i bindur që qytetarët e Durrësit dhe të 5 bashkive të tjera do të zgjedhin me vullnetin e lirë kandidatët më me integritet që ushtrojnë me përkushtim vëmendjen ndaj komunitetit. Ajo që ne duhet të kërkojmë është një proces sa më transparent’, është shprehur ai.
Ndërkohë në lidhje me komisionin Hetimor për inceneratorët, Meta është shprehur se përgjegjësia e parë dhe e plotë në lidhje me këtë çështje u takon organeve të drejtësisë.